Lajme
Rama në Akademinë e Sigurisë, prezanton pagat e reja për të gjitha gradat
Demokracia
11:55 | 08 Prill 2023

Share:

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka premtuar reformë të pagave e cila sipas tij do të bëjë të mundur rritjen historike të pagave në sektorin publik, parashikon një rritje të konsiderueshme pagash në Policinë e Shtetit, në harkun e një viti, për punonjësit e të gjitha sistemeve të sigurisë, përfshirë edhe sistemin e Burgjeve.

Për të ndarë me punonjësit e strukturave përkatëse këtë lajm, si dhe për të shpjeguar detaje  nga plani i qeverisë, Kryeministri Rama, së bashku me Ministrin e Brendshëm Bledi Çuçi dhe Ministrin e Drejtësisë Ulsi Manja zhvilluan një takim në Akademinë e Sigurisë.

“Policia e Shtetit ka pësuar transformime të rëndësishme në këto 8-9 vitet e fundit, sidomos nga pikëpamja e infrastrukturës, e rinovimit të trupës, e trajnimeve dhe së fundmi po pëson një ndryshim rrënjësor nga pikëpamja e ristrukturimit.” – u shpreh Ministri i Brendshëm Çuçi, ndrësa theksoi se vitin e kaluar Policia e Shtetit përfitoi një rritje të ndjeshme pagash.

Po kështu edhe në Policinë e Burgjeve, vitin e kaluar nisi reforma për ristrukturimin e kësaj force dhe modernizimin e kapaciteteve. “Filluam me pagat e reja në policinë e burgjeve. Tashmë edhe këtu nuk ka asnjë dallim mes kolegëve në Policinë e Shtetit dhe në Policinë e Burgjeve, është i njëjti trajtim për funksion dhe vështirësi, Sigurisht që dhe për pagat që u rritën në vitin 2022, ne nuk do të ndalojmë këtu.” – u shpreh Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja.

Ndërsa, Kryeministri Rama shpjegoi se rritja e pagave do të realizohet në dy etapa, në harkun e një viti, nga ku do të përfitojnë 12120 punonjës të Policisë së Shtetit dhe Gardës së Republikës, si dhe 3566 punonjës të sistemit të Policisë së Burgjeve.

Fjala e Ramës:

Përshëndetje të gjithëve! E pashë të arsyeshme të vija tua thoja vetë edhe që në njëfarë mënyrë t’iu mbrojmë nga lajmet e rreme dhe disinformimi. Ju të gjithë e keni përjetuar një rritje page vitin e shkuar, ju kemi thënë që është një rritje page që do të vazhdojë dhe tani jemi bërë gati për një rritje page të konsiderueshme. Është, në fakt, rritja më e madhe historike e pagave si rezultat të krijimit të një mundësie për ta përballuar këtë dhe me këtë rast dua t’iu them të gjithëve që punonjësit e ndershëm të Policisë së Shtetit, oficerët në të gjithë sistemet e sigurisë, përfshirë edhe sistemin e Burgjeve, patjetër që kanë merituar më shumë dhe patjetër që meritojnë më shumë dhe kjo është vetëdija jonë. Asnjëherë nuk e kemi vënë në dyshim që shpërblimet që i kemi rritur herë pas herë nuk janë të mjaftueshme, por besoj që çdo njeri i arsyeshëm e kupton që shpenzimet në një shtëpi varen nga mundësitë dhe një shtëpi që nuk do të zhytet në borxhe dhe pastaj të mbetet pa çati, i balancon të dyja sa të mundet, siç bëni ju në shtëpitë tuaja.

Sot jemi në kushtet kur siç thashë, mund ta bëjmë këtë rritje të konsiderueshme të pagave. Ju, jam i bindur, keni dëgjuar për sektorët e tjerë dhe rritja do të bëhet me dy hapa, do të zbatohet një pjesë tani dhe një pjesë si sot një vit, pra në harkun e një viti.

Në vitin e parë, pra rritja e menjëhershme e pagës për ju që jeni në këtë sistem nga ku do të përfitojnë 12120 punonjës të Policisë së Shtetit dhe Gardës së Republikës, si dhe 3566 punonjës të sistemit të Policisë së Burgjeve do jetë pak a shumë si vijon. Kini parasysh dhe ju e dini shumë mirë, që paga e çdo niveli nuk është njësoj për të gjithë në atë nivel sepse ka vjetërsi pune ka dhe disa kushte të tjera. Gjithsesi unë po flas këtu për pagën e nivelit.

Pra, sot paga e drejtuesit madhor është 139 375 lekë dhe bëhet sot, me 48 125 shtesë mujore, shkon në 187 500 lekë. Për drejtuesin më poshtë drejtuesit madhor shtohet me 24 125 dhe bëhet 137 500, për komisarin shtohen 21 mijë lekë, gjithmonë me të reja, pra 211 mijë lekë në këtë rast dhe shkon 112 500. Për inspektorin e parë shtohet edhe këtu, me 20 445 dhe shkon në 97 500.

Ndërsa për Burgjet, drejtuesi madhor sot e ka 138 375, shkon në 187 500, drejtuesi më poshtë e ka 112 e shkon 137 mijë lekë. Komisari e ka 83 mijë lekë e shkon në 112 mijë lekë dhe inspektori i parë e ka 71 000 lekë e shkon në 97 500 lekë.

Këtu futemi në sistemin e krahasueshmërisë me Forcat e Armatosura, që praktikisht balancohet gjithë sistemi i sigurisë në Shqipëri në kushtet që flasim.

Po ashtu, kemi dhe rritjen e pagës për gratë, për punonjësit e PMNZH-ve, nga ku do të përfitojnë 1181 punonjës. Edhe këtu, drejtuesi zjarrfikës shkon në 125 mijë, inspektori zjarrfikës shkon në 90 mijë, zjarrfikësi shkon në 80 mijë dhe asistent zjarrfikësi shkon në 75 mijë.

Të gjitha këto rritje janë rritje mesatarisht prej 20 mijë lekësh të reja në muaj.

Pastaj vazhdojmë me vitin e dytë, pra, me hapin e dytë po themi, brenda një viti, për të gjitha kategoritë e mësipërme që kanë një rritje tjetër dhe në finale rritja në vlerë e pagës për të gjithë sistemin përsëri do jetë sipas kategorive, nga 49 125 deri në 16 500. Pra niveli i ulët do të rritet me 165 mijë lekë në muaj.

Në finale besoj që do kemi paga dinjitoze, komplet të krahasueshme me rajonin. Jam i bindur që do të motivoheni më shumë, do keni shumë më tepër mundësi për të kontribuar në shtëpitë tuaja dhe për të lehtësuar ekonominë e shtëpive tuaja dhe sigurisht që kjo rritje historike nuk është, uroj dhe besoj, e fundit. Në vijim, me rritjen e mundësive gjithmonë, se nuk ka kryeministër në botë, edhe më i keqi, që nuk do të rrisë pagat.

Ju falenderoj për gjithë punën që keni bërë dhe bëni. Ju uroj çdo të mirë në familjet tuaja dhe jam i bindur që sot do keni buzëqeshje në familje për këtë rritje dhe besoj shumë që forcat e Policisë, forcat e sistemit të Burgjeve, forcat e Zjarrfikëseve, siç kanë qenë gjithmonë një pikë referimi, do jetë një pikë referimi edhe më e fortë për shoqërinë, për ne, për të ardhmen, sigurinë dhe begatinë e vendit.

Një përshëndetje të veçantë dua t’ia bëj të gjitha vajzave që janë këtu sepse kur thashë afrohuni, ishin të parat që e hodhën hapin kurse ata që janë më të fortët, ishin të fundit që e hodhën hapin.

Kështu që përshëndetje dhe Forcave Speciale, të gjithëve. Shumë respekte, realisht dhe deri këtu mbaron fjala, tani fillojmë me veprat. Me kalimin në Parlament të ligjit do kemi efektet, por një pjesë ku, nëse nuk gabohem, përfshihet dhe Policia e Shtetit do t’i kenë efektet më shpejt se të tjerët sepse janë ato rritjet që i kishim premtuar më parë dhe ju e dinit që i kishim premtuar, por nuk e dinit që do e mbanim fjalën. Kështu që, mos besoni akoma, më mirë mos ta besoni dhe në fund kur të ndodhë, atëherë nuk keni ç’bëni, do ta besoni. Shumë faleminderit!

Të ngjashme