Lajme
Rama: Me pranimin në parim të Asociacionit, Kurti ka treguar vullnet për të kërkuar zgjidhje dhe jo alibi
Demokracia
20:20 | 27 Nëntor 2023

Share:

Në një intervistë online me Këshillin e Atlantikut, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka folur gjerësisht për zhvillimet e fundit mes Kosovës dhe Serbisë dhe perspektivën e dy vendeve. Duke folur për sulmin e 24 shtatorit në Bansjka të Zveçanit, kreu i qeverisë shqiptare ndër të tjera tha se ngjarja e asaj dite ishte një “këmbanë e mirëfilltë alarmi” se si një çeshtje e tillë e pazgjidhur shndërrohet në diçka “vendimtare në rrezikimin e paqes dhe bashkëpunimit rajonal”. Ai po ashtu vlerësoi gatishmërinë e Kurtit për të ecur përpara në formimin e Asociacionit.

I pyetur nga presidenti i Këshillit Atlantik, Frederick Kempe, Rama deklaroi se ajo që ndodhi në Banjskë ishte një “kambanë alarmi” se si një çështje e pazgjidhur mund të bëhet “e rrezikshme” për të kërcënuar paqen në rajon.

“Ajo që ndodhi në ngjarjen tejet tragjike (në Banjskë) ishte shenjë shumë e fortë dhe këmbanë e mirëfilltë alarmi dhe potencialisht që një çështje e tillë e pazgjidhur bëhet një çështje vendimtare në rrezikimin e paqes dhe bashkëpunimit rajonal”, tha Rama.

Rama e quajti rastin e Banjskës “përgjegjësi të Beogradit” duke thënë se “nuk e dënuan” sulmin.

“Në këtë aspekt është shumë e madhe përgjegjësia jo vetëm e personave të përfshirë drejtpërdrejt por edhe përgjegjësi e Beogradit, i cili nuk e dënoi por në të kundërt shpalli ditë zie kombëtare në nder të kriminelëve.” – tha ai.

Kreu i ekzekutivit shqiptar vlerësoi “ndryshimin e qëndrimit të autoriteteve kosovare” sa i përket themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Rama tha se me këtë qasje, kryeministri Kurti tregoi “vullnetin për të ecur përpara”.

“Duhet të mos biem pre e konfrontimeve dhe përshkallëzimeve por të dyfishojmë përpjekjet për të bërë paqe. Jam i inkurajuar nga ndryshimi në qasjen dhe qëndrimin e autoriteteve të Kosovës, duke pranuar në parim Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Me këtë Kryeministri Albin Kurti dhe qeveria e Kosovës ka treguar vullnet për të ecur përpara për të kërkuar zgjidhje dhe jo alibi”, tha ai.

Më tej Rama deklaroi se nëse “autoritetet e Kosovës do t’i përmbahen asaj që kanë nisur me marrëveshjen në parim, siç është shprehur edhe nga kryeministri Kurti në Bruksel, do të jetë e jashtëzakonshme për hir të Kosovës dhe rajonit. Shpresoj vetëm që kjo të ecë përpara”.

Ai u shpreh optimist për situatën gjeopolitike në rajon, duke thënë se deri një dekadë më parë nuk kishte asnjë komunikim mes vendeve.

“Siç thashë situata në rajon është përmirësuar shumë, nëse marrim në konsideratë që deri 10 vjet më parë ne (vendet e rajonit) nuk ishim në gjendje as të flsinim me njëri-tjetrin. Tani rajoni duhet të trajtojë dhe të zgjidhë këtë çështje mes Kosovës dhe Serbisë me një njohje të plotë të Kosovës dhe praktikisht me paqe.”

Të ngjashme