Istogu ka pësuar humbje të ngushtë 1:2 nga Dukagjini i Klinës në shtëpi.
Në një terren të rënduar nga reshjet atmosferike, Istogu nuk arriti të marrë rezultat pozitiv në ndeshjen e parë gjysmëfinale të Kupës së Kosovës në futboll.
Trajneri i Istogut, Nazmi Rama tregoi se çfarë u kishte thënë lojtarëve të tij para duelit.
“Ne jemi skuadër që luajmë futboll të bukur dhe në këtë terren ishte thuajse e pamundur. U kam thënë futbollistëve që ajo skuadër që do gaboj më pak dhe do ketë më tepër fat do ta fitojë ndeshjen dhe ashtu ndodhi”, deklaroi fillimisht Rama.
Dukagjini dhe Istogu do të përballen në fundjavë edhe në Ligën e Parë të Kosovës.
Rama tha se skuadra e tij do të paraqitet me një fytyrë krejt tjetër, derisa shtoi se ende nuk ka përfunduar asgjë sa i përket kalimit në finale.
“Sikur kushtet atmosferike të ishin më ndryshe dhe gjendja e terrenit do ishte më e mirë ju garantoj që edhe skuadra jonë do ishte një tjetër ekip. Ne do të shkojmë në fundjavë për të luajtur me Dukagjinin dhe do të shfaqim ndeshje krejtësisht tjetër. Po ashtu do të luftojmë edhe në ndeshjen kthyese për ta përmbysur këtë rezultat”, përfundoi Rama. /Demokracia.com