Lajme
 Rama ia lëshon alarmin Kurtit: Veriun po e kthen në Republikë të KFOR-it, po e humbet për kush e di sa kohë
Demokracia
12:28 | 19 Qershor 2023

Share:

Veriu i Kosovës po shkon drejt shndërrimit në një “Republikë të KFOR-it” dhe “për kush e di sa kohë” kjo do të ishte lamtumirë për kontrollin formal shtetëror në atë zonë, ka thënë Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në një seri cicërimash paralajmëruese, ku i bëri thirrje “menjëherë” Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, të ndërrojë kursin e tij të veprimit në veri të Kosovës. Në një gjuhë që s’ka se ti të jetë më e hapur Rama i bëri thirrje Kurtit të dalë “nga guacka e vetëizolimit” dhe të mos “humb” Veriun e Kosovës. Këtë tablo ai e paraqiti si reale “në rast se deeskalimi nuk ndodh”.

Sa më shumë që Kurti insiston në qëndrimet e tij kundër aleatëve jetikë të sigurisë dhe shtetëror të saj kjo praktikisht do të bënte që KFOR’i “të rikthehet në krye të detyrës”, tha Kryeministri Rama ndërsa Kurtit ia rikujtoi që “koha është tani dhe po fluturon”.

“Nëse de-eskalimi nuk ndodh e humbura e madhe do të jetë Kosova – sepse Serbia mbase nuk jeton dot pa u ri-izoluar! Druaj shumë se sa më shumë Albini këmbëngul në të tijën kundër aleatëve, aq më shumë situata mund të agravohet, duke rikthyer KFOR-in në krye të punës!”, shkroi Rama.

“E atëherë lamtumirë për kushedi sa kohë edhe kontrollit formal të shtetit mbi krejt territorin dhe ta gëzojmë një Republikë të KFORit në Veriun e Kosovës! Albin dil nga guacka e vetizolimit dhe mos e humb Veriun duke parë kudo armiq e tradhëtarë! Koha është tani dhe po fluturon!”.

Një frikë të tillë e kanë artikuluar edhe partitë opozitare në Kosovës, më së theksueshmi kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, i cili duke folur në një intervistë në Klan Kosovë, pati thënë se po shkohet drejt një faze të sigurisë – ku nëse dështon diplomacia – mund të ketë edhe përjashtim fizik të forcave të rendit dhe ligjit kosovare në pjesën veriore të vendit; ku do të nënkuptohej që KFOR’i (me mandat të Rezolutës 12/44) do të merrte kontrollin atje.

Kjo pasi që tri javë kohë, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka instaluar me forcë tre kryetarët (tashmë të mbetur vetëm Lulzim Hetemi në Leposaviq) në tri komunat veriore të vendit të banuara me shumicë serbe, ndërsa ka hedhur poshtë kërkesat e mbarë komunitetit Trans-Atlantike për tërheqjen e kryetarëve për të punuan në vende alternative si dhe tërheqjen e njësive speciale nga afërsitë e komunave.

Komandanti i KFOR-it, Ristuccia, ka kritikuar gjithashtu gjerësisht kryeministrin kosovar, Albin Kurti, për vendimin “për të përdorur forcën pa u konsultuar me ne” si dhe për “veprime të njëanshme”. Madje për trazirat në Zveçan ku mbetën të lënduar afro 30 pjesëtarë të KFOR’it, ai qe shprehur se “po të mos ishte për intervenimit e KFOR’it, do të ishim duke mbajtur zi për të vdekur”.

Kurti deri më tash ka refuzuar planin tre pikësh të bashkësisë ndërkombëtare: tërheqjen e kryetarëve nga ndërtesat zyrtare komunale, tërheqjen e njësive speciale nga afërsitë e komunave dhe shpalljen e menjëhershme të zgjedhjeve në ato zona.

Veprimet e Kurtit janë dënuar nga i mbarë komuniteti Trans-Atlantik dhe janë paralajmëruar masa restriktive ndaj tij dhe Kosovës në rast të mosndërrimit të kursit. Në këto veprime ai nuk e ka pasur mbështetjen as të Shqipërisë.

Të ngjashme
Lajme • 23 Prill 2025