Drejtorët në Komunën e Prishtinës nuk po i rrinë gjatë Përparim Ramës, pasi disa prej tyre janë ndërruar që kur ai dhe LDK morën drejtimin e kryeqytetit, shkruan Demokracia.com.
Ilir Murseli, drejtori i Drejtorisë së Transformimit në Komunën e Prishtinës, ka dhënë dorëheqje nga detyra e tij. Murseli thuhet se është larguar për shkak se kryetari Rama nuk i ka përmbushur premtimet që i kishte dhënë në lidhje me zhvillimin e drejtorisë që ai udhëhiqte. Për më tepër, kjo drejtori nuk figuron fare në planin e buxhetit për vitin 2025, i cili ende nuk ka kaluar.
Rama ka nënshkruar para dy ditësh vendimin për lirimin e Murselit nga detyra. Menjëherë pas kësaj, ai emëroi në krye të kësaj drejtorie një mik të tij, Gëzim Kastratin. Emërimi i Kastratit mban datën 4 nëntor.
Por, kush është drejtori i ri?
Thuajse që prej ardhjes së Përparim Ramës në krye të komunës, Kastrati ka qenë në ekipin e tij si këshilltar dhe është një nga personat më të besuar të Ramës. Kastrati ka marrë pjesë edhe si përzgjedhës i tenderëve nga komuna, ndërsa shpeshherë shfaqet në krah të Visar Gecit, një tjetër këshilltar i afërt i kryetarit Rama.
Në një hulumtim të bërë ditë më parë nga Demokracia.com, janë ngritur dyshime mbi mënyrën sesi dy arkitektët Visar Geci dhe Gëzim Kastrati janë përfshirë në projekte të rëndësishme të Komunës së Prishtinës. Pavarësisht mungesës së informacionit zyrtar mbi pozitat dhe pagesat e tyre, që të dy kanë lidhje të ngushta me kryetarin Përparim Rama dhe janë autorizuar për të marrë pjesë në tenderë të ndjeshëm. Ky fakt ngre dyshime edhe për konflikt të interesit.
Sa marrin pagesë dhe cila është pozita e tyre, Komuna e Prishtinës nuk ishte përgjigjur në këto pyetje.
Së fundmi, Demorkacia.com ka mësuar se ata kanë qenë të angazhuar si këshilltarë të Ramës në një projekt të EBRD-së, por tash Kastrati do të paguhet nga komuna.
Që të dy kanë qenë të autorizuar nga kryetari Përparim Rama në projekte shumë të rëndësishme. Ajo që dihet është se të dy janë ‘dosta’ të kryetarit Përparim Rama dhe po shihen më të në ngjarje të rëndësishme.
Të dy kanë qenë bashkëpronarë në kompaninë “Innarch”, shkruan Demokracia.com.
Fillimisht emri i Gëzim Kastratit doli në dokumentet publike kur u emërua në vitin e kaluar nga kryetari Përparim Rama si anëtar i Komisionit të Aksionarëve në NP “Pallati i Rinisë”. Zakonisht, NP-të komunale përbëhen nga tre aksionarë politikë, ku dy nga ta delegohen nga Kuvendi dhe një nga kryetari. Në praktikat e mëhershme të Komunës së Prishtinës, të deleguarit e kryetarit kanë qenë çdo herë drejtorë të drejtorive.
Pra, të deleguarit e kryetarit Rama duket se janë persona të emëruar politikë nga ai.
Të dy shihen në rolin e këshilltarit të kryetarit të Prishtinës. Demokracia.com ka shikuar tek vegëza ‘Vendimet’ e kryetarit të Komunës së Prishtinës që është e publikuar në faqen e Komunës së Prishtinës, por nuk ka gjetur ndonjë vendim që njëri nga ta të jetë emëruar këshilltar.
Demokracia.com javë më parë ka raportuar se Visar Geci e Gëzim Kastrati ishin caktuar nga zyra e prokurimit komunal si anëtarë të Komisionit Vlerësues për tenderin Konkurs projektimin – Art&teknology Hub – Tulltorja”.
Demokracia.com, po ashtu, lidhur me këtë tender kishte raportuar se fitues i tij kishte dalë një shok i Përparim Ramës dhe i Visar Gecit. Po ashtu, fituese kishte dalë kompania në konsorcium e një profesori të huaj, i cili ishte vizituar para pak muajve nga Përparim Rama.
Geci dhe Kastrati mësohet se janë të involvuar edhe te kontrata e Arkitektit të Kryeqytetit. Gëzim Kastrati ka marrë pjesë në konkurset për koncept-dizajne që po hap kjo kompani private në disa projekte. Kjo shihet nga konkurset që i publikon vetë SHAK.
Muaj më parë, nga erërat e forta kishte rënë edhe një pjesë e kulmit të ndërtesës së Komunës së Prishtinës në lagjen Arbëria, duke e lënduar rëndë një vajzë të re.
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, kishte dalur në konferencë pesë ditë pas rrëzimit të kulmit të Komunës së Prishtinës.
Rama kishte kërkuar ekspertizë të pavarur urgjente për rrëzimin e kulmit të objektit të komunës.
“Problemi me kulmin ka qenë edhe më parë. Duhet ekspertizë urgjente e preliminare për të ditur se çka e ka shkaktuar këtë problem me kulmin e ndërtesës. Kam ftuar ekspertët e fushës, Visar Gecin e Gëzim Kastratin, që i kam parë si profesionistë që veprojnë jashtë komunës për të analizuar e për të na dhënë një gjendje preliminare për rrëzimin e kulmit”, kishte thënë Rama.
Statuti i komunës është akti më i lartë juridik i një komune, që miratohet nga Kuvendi i Komunal në pajtim me legjislacionin në fuqi. Kryetari aktual i Prishtinës e ka shkelur atë para pak mujave kur vendosi të bëjë disa ndryshime në kabinetin qeverisës. Që t’i evitojë këto shkelje, komunës këtë ia ka kërkuar edhe vetë Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), shkruan Demokracia.com.
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, kishte bërë disa ndryshime të drejtorive në komunën që e udhëheq tash e më shumë se dy vjet.
Rama i ka shuar disa drejtori për t’i shtuar disa të reja. Ai ka zbardhur emrat që i ka vendosur në dikasterët e rinj. Drejtoria e re e themeluar ishte ajo për Transformim.
Demokracia.com ditë më parë ka raportuar se këtë vendim Rama e mori duke e shkelur Statutin e Komunës, pasi kjo normativë ia ka përcaktuar qartë kryeqytetit sa drejtori duhet t’i ketë. Gjithsej janë të përcaktuara 11, ndërsa aktualisht ka mbi 15.
Tash MAPL-ja e ka urdhëruar Komunën e Prishtinës që t’i bëjë ndryshimet statutore, nëse do që t’i mbajë drejtoritë e reja, në të kundërtën duhet të shfuqizojë vendimin.
“Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal bazuar në të lartcekurat kërkon nga Kryetari i Kryeqytetit të Prishtinës dhe Kuvendi i Kryeqytetit që të ndërmarrin veprime dhe brenda afatit ligjor të rishqyrtojë aktet dhe të harmonizojë më legjislacionin në fuqi dhe konform mandatit që kanë si organe komunale”, thuhet në pjesë të këtij vendimi, të cilin e ka parë Demokracia.com. /Demokracia.com/
Lexo edhe: