Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është takuar sot me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Ramën në Tiranë.
Rama në një postim në rrjetin social “Facebook” ka bërë të ditur se temë e diskutimit ka qenë marrëveshja e Ohrit, si dhe ecuria e mëtejshme e procesit të zbatimit të saj.
“I shpreha Albinit të gjithë simpatinë time për kurajon dhe realizmin me të cilin ka hedhur hapa me rëndësi të madhe drejt normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë”, ka ai.
Rama ka thënë se e ka inkurajuar Kurtin që të hedh hapa të mëtejshëm, për garantimin e komunave serbe me kornizën e Asociacionit që sipas tij, garanton vetëmenaxhimin e komunitetit serb.
“E inkurajova kryeministrin në hedhjen e hapave të mëtejshëm, qoftë për garantimin e komunave serbe në kornizën e asociacionit që garanton vetëmenaxhimin e komunitetit serb, qoftë për funksionimin me garancitë e nevojshme të Kishës Serbe në vendet e saj të kultit në Kosovë, duke nënvizuar se në këtë proces jo të lehtë ai ka mbështetjen time më të plotë”, ka shkruar tutje Rama.
Gjithashtu, Rama ka njoftuar se mbledhja e ardhshme e të dy qeverive do të mbahet në qershor.
Postimi i plotë i Ramës:
🔴 Me mikun e posaçëm, kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, gjatë drekës së sotme ku diskutuam me detaje për marrëveshjen e Ohrit dhe ecurinë e mëtejshme të procesit të zbatimit të saj.
I shpreha Albinit të gjithë simpatinë time për kurajon dhe realizmin me të cilin ka hedhur hapa me rëndësi të madhe drejt normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë. E inkurajova kryeministrin në hedhjen e hapave të mëtejshëm, qoftë për garantimin e komunave serbe në kornizën e asociacionit që garanton vetëmenaxhimin e komunitetit serb, qoftë për funksionimin me garancitë e nevojshme të Kishës Serbe në vendet e saj të kultit në Kosovë, duke e siguruar se në këtë proces jo të lehtë ai ka mbështetjen time më të plotë.
Ramë dakord që mbledhja e ardhshme e të dy qeverive të mbahet në qershor🇦🇱🫶🇽🇰 /Demokracia.com/