Lajme
Rama dhe kryeministri holandez: Komuniteti Politik Evropian është ide e mirë
Demokracia
08:25 | 05 Tetor 2022

Share:

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, dhe ai i Holandës, Mark Rutte, kanë thënë se Komuniteti Politik Evropian është një ide e mirë.

Duke folur për pushtimin rus të Ukrainës, Rama dhe Rutte në një opinion të publikuar në politico.eu kanë thënë se kjo luftë e pashembullt dhe e pajustifikuar është sulm kundër rendit juridik ndërkombëtar dhe si e tillë përbën një kërcënim për lirinë dhe sigurinë në botë.

“Me këtë luftë, presidenti rus, Vladimir Putin, shpresoi të mbillte përçarje midis vendeve të Evropës, por, në fakt, ia doli të marrë të kundërtën. Ne qëndrojmë të bashkuar, jo vetëm anëtarët e Bashkimit Evropian, por të gjitha vendet e Evropës”, thuhet në këndvështrimin e përbashkët të Ramës dhe kryeministrit holandez.

Ata kanë thënë po ashtu se do të bëjnë gjithçka brenda mundësive për të ndihmuar Ukrainën të rifitojë sovranitetin dhe integritetin e plotë territorial dhe do të mbështesin rindërtimin e saj.

“Do të bëjmë gjithçka brenda mundësive tona për të ndihmuar Ukrainën të rifitojë sovranitetin dhe integritetin e plotë territorial dhe do të mbështesim rindërtimin e saj. Megjithatë, është fakt se agresioni i paprovokuar i Rusisë na detyron po ashtu të reflektojmë mbi disa prej parimeve themelore që ndajmë në kontinentin tonë dhe mënyrës sesi të mbrojmë sa më mirë demokracinë dhe vlerat tona të përbashkëta. Nevoja për një kundërpërgjigje evropiane të fortë, të vazhdueshme e të bashkuar është sot më e nevojshme se kurrë. Kjo është arsyeja pse ne e përkrahim plotësisht propozimin e presidentit Emmanuel Macron për një Komunitet Politik Evropian (KPE)”.

Të ngjashme