Ndonëse Kosova ka kundërshtuar që të bëhet pjesë e iniciativës “Ballkani i Hapur”, këtë e theksoi edhe një herë gjatë ditës së sotme kryeministri Albin Kurti.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e theksoi edhe një herë që është kundër iniciativës “Ballkani i Hapur”, mirëpo kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, theksoi se përkundër që kjo iniciativë nuk i bashkon, ajo as nuk i ndan, raporton Demokracia.com.
Edhe pse Kosova nuk është dhe refuzon të bëhet pjesë e iniciativës “Ballkani i Hapur”, Rama theksoi se çdo gjë që do të jetësohet në “Ballkanin e Hapur”, do të jetësohet me Kosovën.
“Është e vërtetë që Ballkani i Hapur nuk na bashkon, por ama është po kaq e vërtetë që Ballkani i Hapur nuk na ndan. Që do të thotë që në këtë pikë kemi këndvështrime të ndryshme dhe ky nuk është sekret dhe kjo nuk na pengon që në marrëdhëniet bilaterale që ne të ecim përpara. Ashtu si kundër që unë dua të theksoj për qeverinë që unë drejtoj, që çdo gjë që ne jetësojmë me Ballkanin e Hapur duhet ta jetësojmë me Kosovën. Konkretisht operatorët ekonomik të autorizuar që do të thotë dhënie të gjithë kompanive që kontribuojnë për volumin tregtar mes dy vendeve dhe që nuk kanë rrisk të lartë që do të thotë që nuk janë të dyshuara për veprimtari të dyshuara, e një autorizimi për të pasur një korridor pa asnjë kontroll në pikën doganore. Këtë e kemi të jetësuar në Ballkanin e Hapur dhe këtë do ta jetësojmë shumë shpejt për Kosovën”, deklaroi Rama. /Demokracia.com/