Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka kërkuar nga Bashkimi Evropian që të mos e lërë Ballkanin Perëndimor jashtë, nëse ka një plan për të mbështetur vendet për përballimin e krizës energjetike apo pasojat e luftës në Ukrainë në përgjithësi.
Rama këtë deklaratë e ka bërë gjatë një konference për media bashkë me përfaqësuesin e Lartë të Bashkimit Evropian, Josep Borrell në Tiranë.
Me këtë rast Rama ka thënë se BE-ja nuk duhet ta lërë Ballkanin jashtë planeve të saj për ndihmë, ashtu siç ka bërë me shpërndarjen e vaksinave anti-COVID.
“Fola me përfaqësuesin e lartë për domosdoshmërinë që nëse BE-ja do të ketë një plan për të mbështetur vendet qoftë për përballimin e krizës energjetike, qoftë për përballimin e pasojave të tjera të luftës, të mos e lërë Ballkanin Perëndimor jashtë siç e lanë kur bën skemën e parë të shpërndarjes së vaksinave. Të nxitohet edhe projekti i korridorit të tetë i cili është një projekt prej disa kohësh në tryezë në planin e investimeve por që tani në këto kushte të reja bëhet një plan strategjik në aspektin e sigurisë”, ka thënë Rama.
Kryeministri Rama ka folur edhe për çështjen e anëtarësimit të Shqipërisë në BE, duke thënë se Këshilli Evropian po e premton prej kohësh këtë, por nuk po e realizon.
“Kjo i takon Këshillit Evropian, pasi po kalon shumë kohë duke premtuar dhe duke mos mbajtur premtimet. Mirëpo nuk është çështja e vullnetit të Këshillit Evropian, është çështje e një bllokimi mes dy vendeve tjera, Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë”, është shprehur Rama.