Lajme
Rama arrin marrëveshje me militantin e LDK-së brenda “Pastrimit” për 1.5 milionë euro
Demokracia
13:15 | 19 Maj 2025

Share:

Drejtori i Shërbimeve Publike në Komunën e Prishtinës, Bekim Brestovci, ka njoftuar se është arritur një marrëveshje me ndërmarrjen “Pastrimi” për nënshkrimin e një kontrate në vlerë prej 1.5 milionë euro për punë shtesë në terren, raporton Demokracia.com.

Sipas tij, nëse krijohen kushtet operacionale, “Pastrimi” do të marrë përsipër pastrimin e 1/3 të territorit të Prishtinës, krahas dy operatorëve ekzistues.

“Jemi dakorduar që nga sot, me një person të autorizuar nga ndërmarrja ‘Pastrimi’, ta nënshkruajmë kontratën prej 1.5 milionë euro për punën shtesë. Nëse ndërmarrja krijon kushtet dhe ka kapacitete të mjaftueshme për të dalë në terren, ajo do të mbulojë 1/3 e regjionit të Prishtinës. Aktualisht janë vetëm dy operatorë. Nga ana jonë nuk ka asnjë hezitim për të proceduar. Gjithashtu, kemi shprehur gatishmërinë për të thirrur një seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit Komunal për të diskutuar mundësinë e subvencionimit të pagave për punëtorët”, ka deklaruar Brestovci.

Demokracia.com ka raportuar sot se, kryetari Përparim Rama ka zhvilluar takim me Florim Cakiqin, i prezantuar si “kryetar sindikate” në “Pastrimi”, ndonëse sindikata që ai pretendon ta udhëheqë nuk figuron në asnjë regjistër zyrtar të sindikatave pranë Ministrisë së Financave.

Sipas burimeve të Demokracia.com, Cakiqi është nën hetim për dyshime për keqpërdorim të pagesave sindikale për periudhën 2021–2023. Ai ka krijuar një strukturë sindikale paralele me sindikatën ekzistuese.

Po ashtu, Cakiqi njihet si mik i ngushtë i asamblistit të LDK-së, Dashmor Durmishi, dhe është militant i kahmotshëm i kësaj partie.

Përparim Rama takohet me “sindikatën fantazmë”, ndërsa Prishtina mbytet në mbeturina

Ndërsa drejtori Bekim Brestovci deklaron se Komuna është e gatshme të thërrasë një seancë të jashtëzakonshme për të subvencionuar pagat e punëtorëve të “Pastrimit”, kujtojmë se kjo pikë ka qenë tashmë dy herë në rend dite, por asnjëherë nuk është diskutuar seriozisht.

Herën e parë, ekzekutivi komunal refuzoi që kjo çështje të vendosej në fillim të rendit të ditës, duke e pamundësuar diskutimin. Ndërsa herën e dytë, seanca dështoi për shkak të mungesës së kryetarit Përparim Rama. Pra, në të dy rastet, seanca nuk u realizua me sukses.

Tashmë, komuna ka ftuar një tjetër seancë të jashtëzakonshme për të mërkurën, por kësaj radhe, çuditërisht, çështja e subvencionimit të pagave nuk figuron fare në rendin e ditës.

Nga ana tjetër, marrëveshja e arritur mes komunës dhe një përfaqësuesi të “Pastrimit” lidhet vetëm me një periudhë të shkurtër kohore, pasi është e karakterit për “punë shtesë”. Kjo nënkupton se pas disa javësh, marrëveshja do të përfundojë dhe nuk përbën zgjidhje afatgjate.

Kjo marrëveshje po ndodh në kohën kur Komuna e Prishtinës ka dy tenderë të bllokuar në Organin Shqyrtues të Prokurimit (OSHP), të cilët lidhen me kontrata për heqjen e mbeturinave – njëri që planifikohet të realizohet me procedurë të negociuar, dhe tjetri me vlerë të madhe.

Pas tenderit të madh, Komunës i bllokohet në OSHP edhe kontrata me negocim për mbeturina, Prishtina mbulohet nga berllogu

Ndërkohë, operatori privat që aktualisht është i angazhuar për largimin e mbeturinave në qytet, është treguar i paaftë dhe pa kapacitete të mjaftueshme për t’i përmbushur obligimet, ndonëse i kontraktuar jashtëligjshëm. /Demokracia.com/

Skandali i mbeturinave në Prishtinë: Përparim Rama angazhoi jashtëligjshëm për heqjen e mbeturinave ish-zyrtarin e akuzuar për keqpërdorim

Të ngjashme
Lajme • 19 Maj 2025