Lajme
Rafuna për masat e BE’së: Pasoja në ekonomi, po dëmtohet imazhi në sytë e investitorëve të huaj
Demokracia
11:20 | 12 Gusht 2023

Share:

Janë bërë më shumë se një muaj kur Bashkimi Evropian vendosi masa ndëshkuese ndaj Kosovës si rrjedhojë e situatës në veri. Këto masa po ndikojnë edhe në zhvillimin ekonomik të vendit. Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Lulëzim Rafuna thotë se kjo situatë po ndikon tek investitorët e huaj të cilët janë të interesuar të investojnë në Kosovë.

Edhe nga Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) kanë deklaruar ditë më parë se nëse masat e BE-së mbesin gjatë në fuqi do të jenë pengesë për zhvillimin ekonomik të vendit.

Rafuna duke treguar për sektorët që po pësojnë më së shumti nga këto masa, ka folur edhe për trendet ekonomike në vend dhe për kërkesën e bizneseve që të rrisin sërish çmimet pas shtrenjtimit të derivateve.

Rafuna i bëri thirrje Bashkimit Evropian që t´i shfuqizojë sa më shpejt këto masa.

Sipas tij, njëra prej fushave të ekonomisë që preket nga këto masa është edhe sektori privat, ai i IT-së.

Kryetari i OEK-ut ka theksuar se pasojat do të jenë të mëdha për Kosovën në qoftë se këto masa qëndrojnë ende në fuqi nga Bashkimi Evropian.

Krahas kësaj, Rafuna theksoi se bizneset në vend janë duke “vuajtur” për investime kapitale dhe publike.

Ai ka folur edhe për trendet ekonomike në vend, cili theksoi se parashikimet për rritje ekonomike këtë vit janë 3.5 deri 3.7 për qind.

Rafuna tregon se rritja e çmimeve të derivateve ka shkaktuar një pasiguri te bizneset dhe kërkesë për rritje sërish të çmimeve për produktet tyre.

Edhe qytetarët vazhdojnë të ankohen për çmimet e larta të derivateve, ku thonë se janë të papërballueshme për standardin jetësor në Kosovë.

Megjithatë, kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve, Fadil Berjani thotë se vendimi i Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë për caktimin e çmimit dhe masave të tjera mbrojtëse të produkteve të naftës po respektohet nga naftëtarët./KP

Të ngjashme