Lajme
Rafuna: Artikulli në “The Economist” u sponsorizua nga OEK
Demokracia
17:23 | 30 Gusht 2023

Share:

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Lulzim Rafuna, ka thënë se artikulli në gazetën britanike ”The Economist“, ku u promovua suksesi ekonomik i Kosovës, është sponsorizuar nga OEK dhe partnerët e saj.

Ai ka thënë se artikulli ka qenë “puro” meritë e Odës dhe se asnjëherë nuk kanë kërkuar ndihmë nga Qeveria që ta mbështesin atë.

Qëllimi i artikullit, siç ka treguar Rafuna, ka qenë që të pasqyrohet shpirti i ndërmarrësisë i të rinjve kosovarë, sfidat dhe rruga e tyre drejt kulmit të biznesit. E nëpërmjet të rinjve, të cilët ai i vlerëson si asetin më të madh të Kosovës, të promovohet edhe ekonomia e vendit, si një storie suksesi dhe atraktive për investitorët e huaj.

Mirëpo, siç tha ai, ky nuk do të jetë artikulli i fundit, pasi që Oda vazhdimisht po shqyrton mundësi të reja për promovimin e bizneseve kosovare si biznese të suksesshme.

“Është një artikull që është sponsorizuar nga Oda Ekonomike e Kosovës me mbështetje të partnerëve ndërkombëtar”.

“Qëllimi i artikullit ka qenë që të promovohet shpirti i ndërmarrësisë i të rinjve kosovarë, ku pasqyrohen të rinjtë dhe tregojnë si e kanë filluar një biznes dhe si e kanë arritur kulmin e biznesit. Janë promovuar të rinjtë, biznese që të rinjtë i kanë hapur me shumë sfida, mirëpo që ja kanë dalë të shtrihen jo vetëm në Kosovë por edhe në Evropë”.

“Përveç këtyre të rinjve, kemi dashur që ta promovojmë edhe skorien e suksesit të ekonomisë së Kosovës. Pra, edhe Kosovën si një mundësi shumë e mirë për investitorët e huaj”.

“Rinia është aset që e kemi ne si Kosovë, që duhet ta ruajmë dhe që jemi mburrur gjithmonë”, tha ai për EO.

Rafuna ka treguar se që në fillim të mandatit të tij, i është prezantuar ideja, si pjesë e një memorandumi të nënshkruar më herët, të cilën ai e ka përkrahur menjëherë.

Ndërsa, ka theksuar edhe njëherë që nuk është kërkuar mbështetja e Qeverisë për këtë artikull.

“Artikulli është puro i Odës Ekonomike të Kosovës. Oda asnjëherë nuk ka kërkuar nga Qeveria që të mbështetet ky artikull”.

“Në momentin që unë kam ardhur në OEK, më është prezantuar ideja. Unë e kam përkrahur idenë dhe jam angazhuar për të gjetur mënyra se si ta sponsorizojmë dhe afirmojmë biznesin e Kosovës. Për hir të transparencës, po them se asnjëherë nuk kam kërkua ndihmë as mbështetje prej Qeverisë për këtë artikull”.

Tutje, Rafuna ka treguar se promovimi në “The Economist” ka qenë pjesë e planit të Odës për promovimin e sektorit privat e se nuk do të jetë i fundit.

“Oda Ekonomike brenda mundësive të saj, ka marrë një iniciativë që ta promovojë sektorin privat, biznesin, anëtarët e Odës dhe jo-anëtarët e Odës. Në kuadër të këtij plani është edhe artikulli i botuar në “The Economist”. Nuk do të jetë artikulli i fundit që është botuar, do të vazhdojmë edhe me revista tjera prestigjioze”.

“Jemi duke i shfrytëzuar edhe mundësitë që na janë dhënë tani me udhëheqjen e Odave të Ballkanit Perëndimor, domethënë Forumin Investitor të Ballkanit Perëndimor, një mekanizëm i cili është krijuar prej sektorit privat, që mbështetet prej Komisionit Evropian dhe Qeverisë gjermane”.

“Do t’i sponsorizojmë gjithkund ku kemi mundësi dhe ku na jepet hapësirë, bizneset e Kosovës si biznese të suksesshme”, tha ai.

Rafuna ka treguar se kanë kërkuar nga MPJD-ja një memorandum, me antë të të cilit t’i lejohet edhe sektorit privat lobimi për investime të huaja kapitale.

“Për më shumë, OEK do t’i kërkojë Ministrisë së Punëve të Jashtme, dhe ka ofruar mundësinë që me ndihmën e Odës Federale të Austrisë, që ta kemi një memorandum ku edhe ne si sektor privat të lobojmë për thithjen e investimeve të huaja”.

Të ngjashme