Lajme
Radoniqi nuk e di se buxheti i zgjedhjeve ndahet nga Qeveria, këtë ia kërkoi Presidencës
Demokracia
09:13 | 14 Nëntor 2022

Share:

Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi, duket se nuk e ka idenë që buxheti për organizimin e zgjedhjeve në Kosovë ndahet nga Qeveria dhe jo nga Presidenca.

Madje, ai edhe kërkesën për ndarjen e buxhetin për zgjedhjet e jashtëzakonshme në katër komunat veriore të Kosovës, Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, pasi kryetarët e fundit dhanë dorëheqje për shkak të vendimit për targat, e ka bërë në Presidencë.

Këtë e tha vetë Radoniqi javën e kaluar, pas një takimi që pati me presidenten Vjosa Osmani, shkruan Demokracia.com.

Radoniqi tha se ka qenë takim konsultativ “sa i përket nevojave të KQZ-së në rast se shpallen zgjedhjet”.

Ai bëri të ditur se e ka paraqitur një kërkesë për Osmanin.

“Dy fjalë lidhur me takimin tim me presidenten. Ka qenë një takim konsultativ sa i përket nevojave të KQZ-së, në rast se shkojmë në zgjedhje. Dmth e kam paraqit një kërkesë që e ka përgatit Sekretariati sa i përket buxhetit dhe një orientim lidhur me nevojat dhe punën tonë që do ta trajtojmë, kohën që na nevojitet për përgatitje”, deklaroi ai.

Detyrë e presidentes është që të vendosë për datën e zgjedhjeve.

Pikërisht për këtë çështje, Osmani sot do të takojë përfaqësuesit e partive politike në Kosovë.

Njoftimi i plotë i Presidencës:

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, duke pasur parasysh afatet ligjore të përcaktuara me legjislacionin në fuqi, sot u ka dërguar ftesa subjekteve politike për konsultim për caktimin e datës së zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetarë komunave: Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok. Takimi konsultativ me subjektet politike do të mbahet më 14 nëntor.

Një ftesë e tillë është dërguar pasi që kryetarët e komunave të Mitrovicës së Veriut, Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut kanë dhënë dorëheqje nga pozitat e tyre.

Këto dorëheqje janë dorëzuar në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), për të cilat është njoftuar edhe Zyra e Presidentes së Republikës së Kosovës.

Pas konsultimit me partitë politike, Presidentja Osmani pritet ta shpallë datën e zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetarë të këtyre katër komunave brenda afateve ligjore.

Të ngjashme