Lajme
Radiot në kohën e pandemisë, përkundër vështirësive programacioni i tyre vlerësohet cilësor
Demokracia
16:13 | 13 Shkurt 2021

Share:

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Radios. UNESCO e ka shpallur këtë festë për të promovuar radion si medium dhe të gjitha mundësitë që ajo ofron. 13 shkurti është zgjedhur pasi në këtë datë, në vitin 1 mijë 946, Radio e Kombeve të Bashkuara ka emetuar programin e parë.

Radio është një medium që gjithnjë ka ndjerë konkurrencën e televizionit, por ka arritur të ndryshojë në etapa të ndryshme për t’iu përshtatur tregut dhe për të arritur deri te dëgjuesi.

Drejtori i Glam Radio, Gent Efendia, tha se çdo ditë e më shumë njerëzit po i kthehen radios falë emisioneve të veçanta që këto media kanë në programacionin e tyre në Kosovë.

Në një intervistë për KosovaPress, Efendia tha se tashmë edhe në Kosovë radio ka nis të kthehet në binar pasi është rritur edhe numri i radiove. Sipas tij, mediat sociale kanë krijuar lehtësia për dëgjueshmërinë e radios.

Besoj se radio sidomos në Kosovë, ka nisur të kthehet le të themi në binarë, është rritur numri i radiove, me numrin e konkurrencës është rritur edhe prodhimi më i mirë, kualiteti le të themi kështu. Përndryshe, radio në botë është mjaftë e vlerësuar për atë dhe njihet si mediumi më unifikues që tregon arsyen kryesore se përderisa ka njerëz që duan muzikën dhe kanë nevojë për informacione, radio do jetë medium i tyre i preferuar. Edhe me ardhjen e digjitalizimit në botë dhe këtu tek ne jo në fuqi të madhe, por edhe me ardhjen e rrjeteve sociale platformave të tjera digjitale, radios i japin mënyra të ndryshme për t’u dëgjuar në forma të ndryshme çka na bënë më të lehtë që njerëzit të na dëgjojnë përmes aparateve digjitale dhe me qenë më afër secilit dëgjues”, theksoi ai.

Efendia nga Glam Radio tha se pandemia COVID-19 i ka goditur edhe radiot, por sipas tij, ky fillim vit është shpresëdhënës për këtë lloj medie.

Pandemia, dhe gjithë kjo mungesë e reklamave dhe përkeqësim të ekonomisë sidomos në Kosovë, e kemi vërejtur dhe jo vetëm natyrisht e gjithë bota është duke e jetuar të njëjtin avaz. Ka shpresë për radion edhe në vendin tonë ka nisur sidomos ky fillim vit të sjell bizneset, apo t’i risjellë në reklama, sponsorizime dhe të na jap neve mundësinë që të paguhemi dhe t’i rikthehemi normalitetit gradualisht për të dhënë më shumë shpresë, argëtim e informim tek gjithë dëgjuesit”, thotë Efendia.

Përndryshe, sinjali i parë në radio u dha në vitin 1895 nga fizikani italian Guglielmo Marconi. Për shkak të shpikjeve dhe punës së tij në avancimin e teknologjisë së radios, ai u nderua me Çmimin Nobel në vitin 1901, dhe njihet si “babai i radios.

 

Të ngjashme