Lajme
Qytetet dhe fshatrat ukrainase përballen me një numër rekord sulmesh
Demokracia
21:28 | 01 Nëntor 2023

Share:

Ukraina tha të mërkurën se 118 qytete dhe fshatra u bombarduan nga Rusia më 31 tetor. Ky është numri më i madh i vendbanimeve që u përball me sulme njëkohësisht këtë vit.

Ministria e Brendshme e Ukrainës tha të mërkurën se sulmet u regjistruan në 11 rajone ukrainase, shkruan REL.

Ministria raportoi se një rafineri nafte në Kremençuk, një qytet në rajonin qendror Poltava, ishte cak i Ushtrisë së Rusisë, ku u nevojitën pothuajse 100 zjarrfikës për ta shuar zjarrin. Nuk u raportua për viktima.

Një person u raportua i vrarë dhe një tjetër i plagosur si pasojë e bombardimeve gjatë natës në verilindje të rajonit Harkiv, sipas Ministrisë.

Në rajonin lindor të Donjeckut, një person u raportua i vrarë si pasojë e sulmeve me artileri nga forcat ruse.

Sulme të mëdha me artileri u raportuan edhe në rajonin jugor të Hersonit, ku u vra një person dhe u plagosën dy të tjerë si pasojë.

Më 31 tetor, presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, e mbrojti ritmin e ngadaltë të kundërofensivës ukrainase për ta çliruar territorin e uzurpuar nga Rusia.

Duke folur gjatë një adresimi të përnatshëm, Zelensky tha se bota është e prirë ta presë arritjen e suksesit në mënyrë shumë të shpejtë dhe se pak njerëz besonin se Ukraina do t’i bënte ballë pushtimit rus kur ai filloi në shkurt 2022.

Të ngjashme