Lajme
Qytetarja ankohet se së pari i spërkatën gishtin e më pas i thanë se ia kanë ndërruar vendvotimin
Demokracia
18:54 | 14 Shkurt 2021

Share:

Qytetarja Ramize Zuka nga Fushë-Kosova në zgjedhjet e sotme të parakohshme parlamentare u gjend përpara një situate krejt ndryshe. Për dallim nga herët tjera, ajo pasi kishte hyrë në vendvotimin ku e kishin orientuar komisionerët e qendrës së votimit të shkollës “Mihal Grameno”, i kishin spërkatur gishtin para se ta verifikonin nëse ishte në listën e votuesve apo jo.

Ramize Zuka nga Fushë-Kosova fillimisht thotë të mos ketë qenë e vetëdijshme për atë që po e priste, pasi nuk e kishte ditur se spërkatja e gishtit në vendvotimin e gabuar do ta linte pa votuar.

Fillimisht ajo ankohet se i ishte ndërruar qendra e votimit nga shkolla “Mihal Grameno”, ku kishte votuar herëve të kaluara, në Fakultetin Filologjik në Prishtinë, e më pas tregon se pas ‘gabimit’ të komisionerëve që i kishin spërkatur gishtin në vendvotimin me numrin 11 në shkollën “Mihal Grameno”, këta të fundit i kishin dhënë mundësinë që të votonte me kusht, por nuk kishte pranuar.

Ajo tregon për KosovaPress, se kishte marrë një taksi për të votuar në qendrën që e kishin caktuar në Prishtinë, e që ishte vendvotimi 1906e/22D në Fakultetin Filologjik.

“Kemi prit prej 8-ve në Fushë-Kosovë. Kur shkuam në rend hymë brenda, na e qitën ngjyrën e kaltër, mua dhe burrit, kur shkuam tek tavolina burrit i thanë: ‘mundesh me votu, ti nuk je në listë’. Thashë: ‘çka me bë’, thanë: ‘në Prishtinë je’. Edhe dola prej aty, pas 3-4 orësh që prita e sëmurë, e mora taksin dhe erdha këtu. Këtu më thanë e ke ngjyrën e kaltër. Unë me kusht nuk deshta me votu, deshta të drejtën time me e shfrytëzu. Këtu po më thonë që s’kam të drejt me votu”, tha ajo.

Sipas procedurës zgjedhore komisionerët kanë për detyrë që fillimisht të kontrollojnë dorën nëse ka shenja të sprejit për të verifikuar personin nëse ka votuar apo jo, e më pas të verifikohet me anë të letërnjoftimit se a është në listën e atij vendvotimi.

Zuka mohon të kenë shkuar gjërat sipas këtyre procedurave.

“’A nuk i kontrollove njëherë të dhënat tuaja me letërnjoftim se a je në listë’. I kontrolluam në fillim, prej 10-shit na çuan në 11-sh. Pritëm në rend krejt. Na e ditëm që jemi aty, burri ke, unë jo… ‘Po kur shkuat në 11-sh a u dasht me e dhënë letërnjoftimin njëherë aty’, ‘Jo, jo, jo, mas pari ta qitke ata (sprejin) te dera, tani shkojshe rend nëpër tavolina. Tek dera ta qitke ngjyrën, pastaj të thoshte ‘shko’, dhe nuk më gjetën në fletë, më thanë ‘voto me kusht’. Dhe, unë erdha me taksi në Prishtinë se kam qef me e dhënë votën ku duhet. ‘A provove me votu këtu’, ‘E provova por më thanë ‘ngjyrën po ta qet’. Tash s’kam çka, po kthehem, një votë humb”, tregoi ajo.

Si përfundim ajo nuk paraqiti ankesë në PZAP, pasi u shpreh se ishte zhgënjyer shumë nga ajo që i kishte ndodhur sot.

Të ngjashme