NGA ARIAN GALDINI
Mos harroni, më të ligjtë që na kanë sunduar kanë qenë pushtuesit, të ligjtë që na sundojnë nga 1944 e deri sot janë tanët, por më të këqij se pushtuesit. E këta që na kanë sunduar kanë bërë gjithë sa kanë mundur që të na tjetërsojnë e zhbëjnë karakterin, integritetin, kulturën, formësimin, botëkuptimin dhe qenësinë tonë si njerëz e qytetarë, e gjysmën prej nesh e kanë përzënë nga Shqipëria dhe gjysmën tjetër e kanë marrë peng në Shqipëri.
Përveçse kanë detyruar gjysmën prej nesh të ikim nga Shqipëria, këtë gjysmën tjetër që jeton këtu e kanë kthyer në njerëz, të cilët janë turistë në jetën e tyre. Çfarë do të thotë të të kthejnë në “turist në jetën tënde”? Do të thotë se ti jeton, por nuk e zotëron më jetën tënde. Do të thotë se ti e jeton jetën tënde si vizitor i jetës tënde. Ti rron, por nuk jeton, ti përjeton, por nuk jeton, ti mbledh grimca jetësore me ngjarje që të ndodhin, por je me jetë që ti zhvillon. Nuk ka gjë më të keqe sesa të të kthejnë në “turist në jetën tënde”.
Kur je “turist në jetën tënde”, ti jeton për sytë e botës, si jeton me opinione, ndikohesh e përkufizohesh e përkufizon me opinione, nuk merr vendime, nuk mendon, nuk guxon, nuk beson, nuk ke bindje, por je vetëm ndjekës dhe ankimtar i mllefosur. Ndjekësja dhe ankimtaria janë dy cilësitë bazë të turistit.
Turisti viziton përkohësisht vende dhe ose bën foto ngado e kudo plot admirim si ndjekës, ose ankohet për gjithçka. Edhe ne si qytetarë që jemi kthyer në “turistë në jetët tona”, kështu jemi shndërruar, njëkohësisht edhe ndjekës të të famshmëve, të pasurve dhe të fuqishmëve e të pushtetshmëve a të fortëve, edhe ankimtarë të zymtë për gjithçka bëjmë e shohim a na ndodh përreth.
Nuk ka gjë më fundore tek e liga sesa moszotërimi i jetës tënde. Pa prona mund të jesh, pa pasuri mund të jesh, pa të mira materiale e pa sende mund të jesh, por të mos zotërosh dot jetën tënde, e ta jetosh jetën tënde si qiraxhi e vizitor brenda trupit tënd, kjo është katastrofike. Të jesh “turist në jetën tënde” thua: unë nuk ngatërrohem me politikë, sepse “vizitor” jam, ç’më duhet xhanëm.
Të jesh “turist në jetën tënde” nuk lufton e as përpiqesh për ndryshimin, sepse “vizitor” je e kësisoj ndryshimin duhet ta bëjë dikush tjetër. Të jesh “turist në jetën tënde” u kërkon llogari të gjithëve e sillesh plot pezm e zemëratë me të gjithë duke komentuar e sharë gjithëkënd, se të duket si sjellje normale turisti kjo që meqë “je me pushime në jetën tënde”, ta kanë fajin të tjerët pse s’po ia kaloj mirë.
E në listën e gjatë të problematikave që vijnë nga qytetari “turist në jetën e tij”, gjëja më e keqe është ndjesia se çdo ditë ky lloj qytetari e jeton si kalendar ku ai ka të shkruar datën e mbërritjes dhe e kalon çdo sekondë si kohë e falur në pritje të datës së ikjes. Dhe këtu mbyllet cikli, e shoqëria ngec.
Shoqëria nuk bën më as hapa pas e as para, por ngec. Asgjë nuk e lëviz nga vendi, një shoqëri me qytetarë “turistë në jetën e tyre”. Dhe mos u keqkuptoni me termin turist, se turist është edhe ai pushuesi i varfër që shkon në plazh me bukë me domate me vete… Turisti mund të jetë i varfër dhe i pasur, mund të jetë i rëndësishëm apo i parëndësishëm, i shtresave të larta apo të ulëta. Por turisti është vizitor e jo zotërues. Ky është koncepti. Dhe shoqëritë ndryshojnë kur ka qytetarë që marrin në duart e tyre dhe zotërojnë më së pari vetet e tyre dhe jetët e tyre.