Lajme
Qytetarët të mllefosur: Marrëveshja duhet të nënshkruhet, ndryshe s’ka efekt
Demokracia
15:47 | 19 Mars 2023

Share:

Qytetarët u shprehën të mllefosur pas pajtueshmërisë së Kosovës dhe Serbisë në orët e vona të së shtunës mbi aneksin e zbatimit të planit evropian. Sipas tyre, mosgatishmëria e Serbisë për të nënshkruar nuk është shenjë e mirë.

Qytetarët deklaruan se Serbisë nuk i besohet në atë që thotë dhe potencuan se gjasat për ta vënë Kosovën në pozicion jo të mirë janë të mëdha.

Ata adresuan kritika edhe për politikanët. Sipas tyre, nuk kanë mjaftueshëm përvojë në këtë drejtim, pasi siç theksuan, nuk është dashur të pajtohen mbi aneksin e zbatimit të planit evropian pa pasur nënshkrim nga Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Qytetari Ajvaz Rama deklaroi për KosovaPress se Serbia nuk do t’i përmbahet planit të BE-së.

Ai akuzoi udhëheqësit e shtetit për zgjatjen e këtij procesi.

“Është e pamundur, sepse kemi problem me armiq të përbetuar dhe ata gjithmonë i shfrytëzojnë situatat dhe nuk ju përmbahen marrëveshjeve. Por, nuk janë të kfjellët njerëzit tanë që ju besojnë verbërisht atyre dhe e keqja madhe është se këta (politikanët) tanë shumë të pa përvojë dhe të padijshëm, i kanë zgjatur proceset, kjo punë është dashur të kryhet meherët, faji është te udhëheqësia”, tha Rama.

Edhe qytetari Hajrulla Gashi u shpreh pesimist në raport me zbatimin e planit të BE-së nga ana serbe. Ai tha se Serbia nuk do ta nënshkruajë kurrë atë.

“Çfarë marrëveshje, ku i besohet serbëve, ai nuk ka besë, në njërën anë thotë ndryshe e në tjetrën ndryshe. S’ka kurrfarë marrëveshje, veç rrena e dallavere…Serbi nuk nënshkruan kurrë, veç tradhtinë e bënë pas shpine, mirëpo po çuditem prej njerëzve tonë që i besojnë”, tha Gashi.

Qytetari Janujz Dautaj tha se marrëveshja e lidhur me gojë duhet të nënshkruhet, përndryshe nuk ka efekt.

“Marrëveshja e lidhur me gojë duhet të nënshkruhet, përndryshe nuk ka efekt. Sepse, mund të mohojnë çfarë kanë thënë…Nuk i kam pa çfarë përmban (asociacioni i komunave me shumicë serbe), cilat janë kompetencat, shembull arsimi, shëndetësia e të tjera, dhe a parasheh pushtet ekzekutiv, sepse kjo është katastrofë, vaj halli për neve”, tha Dautaj.

Ndërsa, qytetari Rexhep Miftari u shpreh se Serbia gjithmonë do t’i ikë atij nënshkrimi. Sipas tij, Serbia do vetëm përfitim nga Kosova.

“Është mbet pa nënshkrime. Presidenti serb, Vuçiq po i ik nënshkrimit, ndërsa kryeministri, Kurti është i aftë për të nënshkruar…Besoj që Serbia gjithmonë do të ikë atij nënshkrimi, sepse dëshiron përfitim nga Kosova… Duhet njohje reciproke në tavolinë, mjaftë kemi pritë me vite”, u shpreh Miftari.

Kujtojmë që, Kosova dhe Serbia të shtunën në mbrëmje janë pajtuar mbi aneksin e zbatimit të planit evropian, i cili do të jetë i obliguar për të dyja palët në momentin e publikimit të tij. Kështu ka thënë përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell në një deklaratë për media, pas dialogut 12 orësh në mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nën ndërmjetësimin e BE-së, në Ohër të Maqedonisë së Veriut. Ndërsa, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se kanë arritur pajtim publik me Serbinë për zbatimin e aneksit të marrëveshjes së propozuar nga Bashkimi Evropian. Mirëpo, ai ka thënë se Serbia sërish nuk e ka nënshkruar të njëjtin. Sipas tij, i takon BE-së tani që të gjejë mekanizma për të detyruar Serbinë të firmosë ujdinë./KP/

Të ngjashme