Lajme
Qytetarët e “gozhdojnë” ministren e Kurtit: Dikush po rren shumë për çmimin e energjisë
Demokracia
13:37 | 20 Janar 2022

Share:

Nga muaji shkurt pritet që qytetarët e Kosovës ta paguajnë më shtrenjtë energjinë elektrike, pas propozimit të ZRrE-së që të ngritet çmimi. Kjo duket se i ka shqetësuar tej mase qytetarët, të cilët i kanë reaguar ashpër edhe Ministres së Ekonomisë, Artane Rizvanolli.

Rizvanolli të enjten përmes një shkrimi në llogarinë e saj në Facebook, publikoi një tabelë me çmimet e energjisë në disa vende të Evropës, duke tentuar kështu t’i demantojë pretendimet e opozitës, raporton Demokracia.com.

Sipas saj, opozita po thotë të pavërteta se çmimi i energjisë po bëhet 21cent/kWh.

“Në fakt, tarifa (mesatare) për konsumatorët shtëpiakë mbetet më e ulëta në Evropë, me përjashtim të Ukrainës, edhe nëse rritet tarifa në përputhje me propozimin e ZRrE dhe subvencionin e Qeverisë”, ka thënë Rizvanolli.

Por, këtë postim të saj nuk e kanë pritur aspak mirë qytetarët, pasi që një numër tepër i madh i komenteve përmbajnë kritika të shumta për rritjen e çmimit të energjisë, raporton Demokracia.com.

Madje, shumë prej qytetarëve janë ankuar se shifrat e dhëna nga Qeveria për rritjen e çmimit nuk po u përkojnë me matjen që po e bëjnë përmes një kalkulatori online të KEDS-it.

“Ministresh, dikush eshte ka rren edhe fort… Ket far kalkulatori se kam shpike une”, ka thënë njëri prej komentuesve.

Po ashtu, shumë prej qytetarëve janë ankuar se me rritjen e çmimit të energjisë nuk është rritur edhe paga minimale, për të cilën kryeministri Albin Kurti kishte premtuar para se të vinte në pushtet.

Ndërkohë, çmimet e energjisë elektrike nuk do të jenë aspak të ulëta, derisa Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) në Kosovë i ka ndarë konsumatorët në pesë kategori: A, B, C, D dhe E.

Nëse jeni në kategorinë A dhe shpenzoni deri në 300kWh, fatura aktuale e juaja është 19.97 euro, por me rritjen e çmimit të energjisë elektrike ajo do të bëhet 20.40 euro.

Nëse jeni në kategorinë B, ju shpenzoni 450 kWh dhe fatura e juaj aktuale është 27.37 euro, tani do të bëhet 29.66 euro.

Nëse shpenzoni deri në 600 kWh, jeni në kategorinë C dhe fatura e juaj aktuale është 35.86 euro, me çmimet e reja, ajo bëhet 38.92 euro.

Nëse jeni në kategorinë D, ju shpenzoni deri në 800 kWh, fatura aktuale është 47.19 euro, por me rritjen e çmimit fatura bëhet 74.17 euro.

Nëse jeni në kategorinë E, ju shpenzoni deri në 1000kWh dhe fatura aktuale është 58.52 euro, ndërsa me rritjen e çmimit, fatura bëhet 109.42 euro./Demokracia.com/

 

Të ngjashme