Shkruan: Fejzi Hajdari
Dilema dhe frika që po përhapet tek qytetarët është, nëse incidentet e fundit duke filluar nga Sopoti i Kumanovës e deri tek vendosja e kryqit dhe flamurit kombëtarë shqiptarë në afërsi të kryqit, kanë ngjyrim politik dhe se prapavija është shkaktimi i një incidenti eventual me përmasa ndëretnike?
Heqja e simbolit të Shqipërisë etnike në Sopot të Kumanovës, reagimi i menjëhershëm i partivë maqedonase sidomos i kreut të Kumanovës që paralajmëroi padi për organizatorin në Sopot, pastaj vendosja e kryqit në “Kodrën e Diellit” Tetovë pa leje ndërtimi nga Komuna e Tetovës, më pastaj vendosja e flamurit kombëtarë shqiptarë pranë kryqit në Kodrën e Diellit, arrestimi i menjëhershëm i autorit të vendosjes, më vonë kërcënimet e individëve nga Tetova se do të hakmerren për këtë, janë pikërisht sinjale ogurzi, që në përkujtojnë incidentet ndëretnike të cilët inskenoheshin nga politika me qëllim të përfitimit të pikëve politike, e që ndodhni zakonisht pak para fillimit të fushatave zgjedhore ose gjatë vitit kur mbaheshin zgjedhjet.
Praktika e këtillë nuk është dicka e re në skenën e këtushme të pareformuar politike tanimë 30 vite me radhë. Janë pikërisht skena të tipit shabllon, stereotipe, të cilat i kemi parë edhe më parë. Skena të cilat shpeshherë kanë kanë rezultuar edhe me viktima qytetarësh të pafajshëm, por që prapavija e qëllimi, gjithnjë ka qenë i njëjtë – kryekëput politik për ta ruajtur pushtetin madje-madje edhe me cdo kusht. Një klimë e këtillë, nëse rezonojmë kronologjikisht, mund të thuhet se ka filluar me presionin partiak të cilin BDI-ja e filloi në Gjykatën supreme për ta krijuar kushte për kthimin e Gruevskit.
Veprimet e këtilla i denoncoi në media edhe vetë gjykatësja e “Supremes” Besa Ademi, ndërsa po të njëjtat shqetësime paraprakisht i kishte marrë në formë informacioni edhe Ambasada e Amerikës në Shkup. Pavarësisht denoncimit, presioni kishte vazhduar nëpërmjet portaleve të BDI-së që financohen me paratë e qytetarëve, gjë të cilën e bëri të ditur edhe Lëvizja Besa, por edhe Lidhja Demokratike.
Meqë beteja për “kokën e zonjës Besa” po vazhdon, paralelisht me këtë si në film, në mënyrë të koordinuar, si duket po vazhdon edhe tendenca që me cdo kusht të ngritet tensioni ndëretnik. Problemi me kryqin, po tentohet me cdo kusht të “finalizohet” me një incident eventual, që sipas praktikave fataliste të mëhershme, “levërdim politike” do t’i sillte vetëm partive në pushtet.
Mirëpo assesi të ndodhe një incident i kësaj natyre, megjithse regjisorët e skenarëve të tillë nuk po dorëzohen. Fatkeqësisht, droja është e madhe se mund të ketë edhe episode të tjera. Përdallim nga më herët, tani qytetarët fatmirësisht i kanë detektuar e lexuar lojërat e këtilla. Mos u përpiqni ta fusni në lojë rininë, sepse ata janë shumë më të mencur se ju. Ju atyre mund tua kaloni, vetm në vjedhje, korrupsion dhe krim, por jo edhe për intelekt e aftësi.
Aktorëve në prapavijë, të cilëve adresa u dihet, është mirë tu jepet mesazhi se incidentet ndëretnike nuk sjellin më pikë politike, sepse qytetarët tanimë i kanë parë dhe lexuar. Prandaj vigjilenca (hapja e syve), kujdesi dhe vëmendja e shtuar e qytetarëve, do ta ishte veprimi më i mirë, që skenaristëve të së keqes, t’ua bënin “8:2”! Zgjedhjet nuk fitohen duke i sakrifikuar qytetarët, por me punë të sinqertë dhe rezultate konkrete.