Lajme
Qysh “i dha shkollë” Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Ministres Haxhiu dhe krejt ekzekutivit
Demokracia
21:59 | 12 Shkurt 2024

Share:

Gresa Caka-Nimani, Kryetare e Gjykatës Kushtetuese, në një intervistë absolutisht briliante në “Tempus” të KTV-së iu ka dhënë shkollë (siç thuhet në zhargon) së pari Ministres së Drejtësisë Albulena Haxhiu e më pas, krejt ekzekutivit që ç’do ditë “na mbysin” me deklarata pompoze, për shtetin e për të drejtën.

Krejt qetë e me shume elekuencë, Kryetarja Caka-Nimani kritikat e pushteit i ka cilësuar si normale. Madje sipas saj ky tension ndërmjet pushteteve, flet për demokraci funksionale.

Kritikat ndaj pushtetit gjyqësor apo gjykatave kushtetuese janë të zakonshme edhe në demokracitë tjera, kryesisht në demokraci më të reja. Ashtu siç kam adresuar përgjatë shënjimit gjyqësor të Gjykatës Kushtetuese, ndërveprimi mes pushteteve medoemos reflekton tension dhe ky tension reflekton faktin që demokracia në Republikën e Kosovës po funksionon

Kryetarja, megjithatë pas kësaj deklarate “të matur mirë”, ka tërhequr verejtjen se deklarimet e tilla sikurse të Haxhiut, kur kjo e fundit e quan “penguese të drejtësisë” Gjykatën Kushtetuese, rrezikojnë t’a minojnë rendin juridik e kushtetues në vend.

Gjuha denigruese cenon integritetin, kredibilitetin dhe autoritetin e Gjykatës, dëmton rendin kushtetues dhe vlerat që i përfaqëson” – ka thënë Caka-Nimani.

Sa i përket “pengimit të reformës në drejtësi”, Caka-Nimani ka sqaruar se Gjykata Kushtetuese, përveç që s’e pengon reformën, ajo kujdeset që rekomandimet e saj t’i harmonizoj me standardet që kërkohen nga organizatat më prestigjioze evorpiane, aty ku Kosova mëton të anëtarësohet.

Gjykata Kushtetuese jo vetëm që nuk pengon reformën në drejtësi, por kontribuon në përforcimin e shtetit të së drejtës dhe përafrimin e Republikës së Kosovës më standardet të cilat i përcakton Këshilli i Evropës, Bashkimi Evropian anëtarësimin në të cilat Kosova e synon”,

Kryetarja ka thënë se Gjykata Kushtetuese ka publikuar vendimin në lidhje me amendamentin që lidhet me Vettingun në drejtësi dhe i ka hapur rrugë një ndër reformave më të thella në Republikën e Kosovës.

Caka-Nimani, ia bëri të qartë –sidomos- Ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu se kur Kushtetuesja merr vendim, ai duhet të shërbej si detyrim për reflektim. Pra të shkruhen ligjet ashtu siç është edhe fryma e shkronja e Kushtetutës.

Respektimi i Kushtetutës është detyrë e secilit autoritet publik në Republikën e Kosovës. Konstatimi që bën gjykata në kontekst të një ligji dhe vlerësimi që një ligj i kontestuar para saj, nuk është në përputhje me kushtetutën nuk mund të shërbejë si argument që Gjykata është kundër reformave në drejtësi. Por, duhet të shërbejë si detyrim për reflektim, të dy pushteteve tjera që të sigurohen që ligjet e propozuara ose miratuara janë në përputhje me Kushtetutën”, ka shtuar ajo.

Në fund të intervistës Kryetarja Caka-Nimani ka ftuar të gjithë autoritetet publike ta mbronjë rendin Kushtetues të vendit duke theksuar se Kushtetuta nuk është thjesht një document i shkruar, por symbol i rezistencës, shpresës e fitores së shtetit.

Kushtetuta nuk është thjesht një dokument i shkruar që tregon mënyrën e funksionit të shtetit, të shoqërisë dhe ndërveprimin e tyre, ajo e Kosovës është simbol i rezistencës, i shpresës, i fitores së shtetit. Është detyrë e secilit autoritet publik që të mbrojë shkronjën e frymën e saj dhe kështu mbrojmë rendin kushtetues të Republikës së Kosovës” – ka thënë ajo.

Ndryshe së fundmi Gjykatën Kushtetuese e “sulmoi” zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, i cili në mënyrë krejt të pa stil “i ftoi”, gjyqtarët e Kushtetueses të dalin e të maten në zgjedhje.

Të ngjashme