Lajme
Quni i LDK-së akuzon VV-në për bashkëpunim të fshehtë me Listën Serbe
Demokracia
19:23 | 23 Maj 2025

Share:

Anton Quni, deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje për bashkëpunim të fshehtë me Listën Serbe, ndonëse kjo e fundit, sipas tij, është përshkruar vazhdimisht nga Vetëvendosje si një rrezik për vendin dhe si strukturë e kontrolluar nga Beogradi.

“Vetëvendosje në diskursin e saj publik e ka konsideruar Listën Serbe si një organizatë ndaj së cilës duhet pasur shumë kujdes, duke e cilësuar si të dirigjuar nga Beogradi me misione dhe detyra të ndryshme. Por në prapaskenë, janë zhvilluar bashkëbisedime dhe dakordime për veprime të përbashkëta”, deklaroi Quni.

Ai shtoi se është i bindur që një pjesë e deputetëve të Listës Serbe do të kishin votuar me votim të fshehtë të nominuarën e Vetëvendosjes për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiu në përputhje me marrëveshjen e supozuar me Vetëvendosjen

“Unë jam i bindur që ata do të votonin, por pastaj e gjithë ushtria kibernetike do të sulmonte deputetët e partive të tjera, duke pretenduar se ata e kanë votuar”, u shpreh ai në një intervistë në emisionin FIVE në RTV Dukagjini

Ai ka folur edhe për bllokun e LDK-së ndaj LVV-së.

Quni ka thënë se LDK ka një përvojë me LVV-në gjatë qeverisjes së përbashkët.

“Nga ana e Vetëvendosjes nuk është përmbajtur atyre marrëveshjeve paraprake se si do të duhej të sigurohej qëndrueshmëria e një qeverie. Pastaj, ky hendek thellohet gjatë mandatit të qeverisjes së Lëvizjes Vetëvendosje, që e ka futur shtetin në një izolim. Nuk kemi thuajse fare marrëdhënie diplomatike me qendrat e vendimmarrjes, me partnerët tanë, me aleatët tanë. Nuk ka ndonjë perspektivë për integrime euroatlantike, dhe çështjet tona të brendshme, siç është zhvillimi ekonomik, nuk ka”, ka thënë ai.

Të ngjashme