Lajme
QNR rekomandon rinumërimin e 494 kutive
Demokracia
11:32 | 22 Shkurt 2021
Foto Ilustrim

Share:

Në mbledhjen e sotme të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) do të paraqitet një raport nga Qendra e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) që të rinumërohen rreth 500 vendvotime.

Këtë për Demokracia.com e bëri të ditur zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.

“Mund t’iu konfirmoj se në mbledhjen e sotme të KQZ-së do të paraqitet një raport nga Qendra e Numërimit dhe Rezultateve me disa rekomandime për rinumërim të rreth 500 vendvotimeve dhe natyrisht se anëtarët e KQZ-së do ta shqyrtojnë dhe do të marrin vendim meritor”, tha Elezi.

Sipas Elezit QNR-ja ka ardhur në disa rekomandime që këto vendvotime nuk kanë mundur të kalojnë procesin e auditimit.

“QNR-ja ka ardhur deri te këto rekomandime pasi këto vendvotime nuk kanë mundur të kalojnë procesin e auditimit. Arsyet janë të ndryshme dhe kryesisht kanë të bëjnë me bartjen e gabuar të votave në formularin e subjekteve politike dhe formularin e kandidatëve; si dhe për shkak se në një numër të madh të vendvotimeve kandidati apo kandidatët kanë më shumë vota se subjekti politik”, tha Elezi.

Demokracia.com mësohen se janë gjithsej 494 kuti që QNR-ja ka rekomanduar të rinumërohen.

Ndërkaq i tërë procesi deri në certifikim të zgjedhjeve pritet të marrë kohë deri në 3 javë.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të mbajë mbledhjen sot në ora 13:00./Demokracia.com/

Të ngjashme