Lajme
QKUK pritet të hap konkurs për 70 infermierë, sindikatës i duken shumë pak
Demokracia
21:02 | 18 Shkurt 2023

Share:

110 vende të lira pune janë evidentuar në Qendrën Klinikë Universitare të Kosovës.

Ndonëse jo krejt komplet por pjesa më e madhe e këtyre vendeve të punës do ti dedikohet rekrutimit të infermierëve me 70 vende të lira, raporton Klan Kosova.

Siç merr vesh televizionin ky konkurs pritet të shpallet brenda javës së ardhshme.

Në fakt sipas sindikatës së infermierëve në QKUK të cilët kanë qenë pjesë e një komisioni për ri-organizimin e këtyre profesionistëve gjatë kohës kur Pranvera Zejnullahu drejtonte SHSKUK-në, kërkesa e saj tek bordi ka qenë për të bërë pranimin e 90 infermierëve.

Kryetari i kësaj sindikate, Përparim Berisha bën me dije se që nga viti 2018 nuk është bërë asnjë zëvendësim i gjithë atyre të cilët e kanë lëshuar punën.

Derisa tregon se kërkesa më minimaliste nga drejtuesit e 38 klinikave të QKUK-së ka qenë shtimi i pesë infermierëve si më së paku.

Sidoqoftë për sindikatën as numri 70 dhe as 90 nuk i plotëson nevojat as për së afërmi, numri duhet të jetë prej 500 sosh në mënyrë që të ofrohen shërbime shumë më cilësore sesa kaq.

Ndërkaq, në konkursin e fundit në të cilin u pranuan në punë 15 infermierë, thonë se ky numër as nuk është vërejtur për shkak të mungesës së theksuar.

Televizioni vazhdimisht ka raportuar për këtë problematikë me të cilën po përballet sistemi shëndetësorë, dhe ku gjatë ndërrimeve të natës një infermierë ofron shërbime për 20 pacientë dhe në raste të caktuara deri 32 sosh.

Të ngjashme