Kretari i shoqatës Xhevdet Qiriqi, ka akuzuar ashpër drejtuesit dhe përfaqësuesit e Dhomave të Specializuara në Hagë, duke i quajtur pjesë të një “projekti kriminal që ka për qëllim njollosjen e luftës çlirimtare të UÇK-së”.
Në emisionin “Five”, Qiriqi ka reaguar ashpër ndaj kryetares së Dhomave të Specializuara, Ekaterina Trendafilova, duke e konsideruar deklaratën e saj si “të turpshme” dhe si përfaqësuese të një gjykate ku, sipas tij, po zhvillohet një krim mbi drejtësinë. “Ju keni parë se nuk ju është lejuar juve si media të merrni pjesë me kamera, të bëni xhirime apo të parashtroni pyetje. Është një deklaratë e turpshme e kësaj kryetares së Dhomave ‘të krimit’, sepse aty po bëhet një krim nga përfaqësuesit, gjyqtarët dhe prokurorët e kësaj gjykate,” tha Qiriqi.
Sipas Qiriqit, e gjithë aktakuza që rëndon mbi ish-pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është e ndërtuar mbi narrativën serbe dhe se baza e saj qëndron në raportin e Dick Marty-t, të cilin e cilëson të fabrikuar.
“Nëse e shohim komplet aktakuzën që rëndon mbi UÇK-në, shihet qartë që ajo është servuar nga Serbia. Edhe raporti i Dick Marty-t, edhe kjo aktakuzë, janë përgatitur në Serbi nga kriminelët serbë, me qëllim që të njollosin një luftë çlirimtare,” deklaroi ai.
Ai shprehu shqetësimin se kryetarja Trendafilova ka dhënë deklarata për mediume serbe që propagandojnë kundër Kosovës dhe UÇK-së, çka sipas tij, është dëshmi e bashkëpunimit të saj me qarqe anti-Kosovë.