Lajme
Qindra mijëra të evakuar pasi përmbytjet kanë shkatërruar Kinën jugore
Demokracia
09:55 | 22 Qershor 2022

Share:

Qindra mijëra njerëz në Kinë janë evakuuar në disa provinca jugore dhe lindore pas shirave të pandërprerë që shkaktuan përmbytje dhe rrëshqitje dheu.

Dy provinca përsëritën paralajmërimet për përmbytjet të martën, pasi lumenjtë u tejmbushën dhe nivelet e përmbytjeve arritën nivelin më të lartë të 50 vjetëve.

Videot në mediat shtetërore shfaqin vetura duke lundruar nëpër rrugë dhe njerëzit duke u shpëtuar me litarë nëpër lumenj të fryrë.

Zona po përjeton reshjet më të larta që nga viti 1961, thonë zyrtarët e motit.

Banorëve e komuniteteve që jetojnë përgjatë brigjeve të lumenjve dhe në lagjet e ulëta u është kërkuar të lëvizin në zona ku toka është më lartë.

Qyteti i Shaoguan në provincën Guangdong ka qenë një nga më të prekurit, duke bërë që zyrtarët të ngrenë alarmin për përmbytjet në nivelin më të lartë pasi qyteti regjistroi reshje rekord që nga fundi i majit. Një alarm i ngjashëm u vendos për qytetin Qingyuan të Guangdong.

Në pellgun e ulët Pearl, i cili rrethon Guangdong dhe Guangxi, shiu ka ndërprerë zinxhirët e furnizimit, prodhimit dhe transportit, që veçse ishin duke vuajtur nën masa të rrepta anti-Covid.

Ndërkohë në provincën Jiangxi në Kinën veri-lindore, autoritetet ngritën një paralajmërim për përmbytje pasi u prekën 485 mijë njerëz në nëntë rrethe, sipas Xinhua News.

Xinhua raportoi se zona kishte pësuar dëme ekonomike në vlerën 70.2 milion dollarë me 43 mijë hektarë të mbjella të shkatërruara.

Zyrtarët lokalë kanë paralajmëruar se situata ka të ngjarë të përkeqësohet gjatë ditëve në vijim dhe se do të vazhdojë të rrisë nivelet e ujit në pellgun e lumit Pearl.

Qendra Kombëtare Meteorologjike e Kinës tha se reshjet mesatare në provincat Guangdong, Fujian dhe Guangxi midis fillimit të majit dhe mesit të qershorit arritën 621 milimetra – më e larta që nga viti 1961.

Sezoni i shirave të verës rezulton rregullisht me përmbytje në Kinën jugore, por ka shqetësime se ndryshimi i klimës po e përkeqëson situatën.

Në të kundërt, shumë zona në veri të vendit po përjetojnë temperatura jashtëzakonisht të larta, por në vijim parashikohet të bjerë shiu.

Të ngjashme