Barazia
“QIKA” kundër vendimit të Qeverisë për lehonat, ky vendim do t’i ngujojë edhe më shumë gratë
Demokracia
17:36 | 10 Shtator 2021

Share:

Qendra për Informim, Kritikë dhe Aksion (QIKA) përmes një postimi në Facebook ka reaguar për mbështetjen financiare për lehonat.

Sipas kësaj organizate shtesat financiare që u prezantuan sot nga Qeveria e Kosovës nuk e fuqizojnë gruan e as statusin e saj në shoqëri.

“Politika për shtesat financiare për gratë lehona e prezantuar sot nga Qeveria e Kosovës është mbështetje e mirë për familjet e reja në Kosovë, por nuk fuqizon gruan dhe as statusin e saj në shoqëri, siç u deklarua sot gjatë shpalosjes së politikës. Kjo më shumë duket se është një politikë që ndihmon familjet të rrisin fëmijët, se sa të aktivizojë gratë si forcë punëtore apo të përfshijë ato në jetën publike në përgjithësi”, shkruhet në faqen e tyre në Facebook.

Madje, “QIKA” këtë politikë e sheh edhe problematike si qasje.

“Lloji i tillë i ndihmesës financiare pa masa shtesë që ndihmojnë punësimin e gruas pas lindjes – janë politikë konservatore e djathtë që synon zgjerimin e familjeve duke stimuluar lindjen e fëmijëve”, shkruhet tutje.

Sipas kësaj qendre, mbështetja e grave vetëm përbrenda rolit të amësisë do t’i ngujojë edhe më shumë ato.

“Tendenca për të mbështetur gratë vetëm përbrenda rolit të amësisë ka rrezik të ngujoj ato edhe më tutje në shtëpi me përgjegjësitë mbi punët e papaguara.  Kemi nevojë për politika urgjente të punësimit që në plan afatgjatë pavarësojnë gratë ekonomikisht e jo vetëm për ndihma çasti që shpesh mund të jenë kundërproduktive”, shkruan QIKA.

Sipas vendimit të marrur nga Qeveria e Kosovës lehonat e papuna në 12 muaj e fundit do të mbështeten me 170 euro për 6 muaj. /Demokracia.com/

Të ngjashme
Lajme • 16 Prill 2024