Lajme
“Qeverisje me Beogradin…iu kisha lutur të votoni”: Ndryshimi i Konjufcës në raport me opozitën për pak muaj
Demokracia
12:09 | 28 Prill 2025

Share:

Tash e shtatë herë, pushteti nuk i ka siguruar votat për votimin e Albulena Haxhiut si kryetare e Kuvendit.

Madje, pushteti pati edhe disa lutje për opozitën që kjo kandidate të votohet, e të dilet nga kriza.

Ish-kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, megjithatë, për disa muaj, ka një ndryshim të madh në diskursin e përdorur.

Gjatë fushatës, e ndërlidhte opozitën me Beogradin, e pas fushatës, kërkon nga ta t’ia votojnë kryeparlamentaren.

Në një takim me strukturat e partisë, Konjufca thoshte se më 9 shkurt do të vendoset për qeverisje me shqiptarizëm apo me Beogradin.

“A ka me u qeverisë në Kosovë mas 9 shkurtit shqiptarizmi edhe kombëtarizmi shqiptar, apo ka me u qeverisë bashkë me Beogradin”, thoshte ai.

E pas zgjedhjeve, e luti opozitën për mbështetje me vota.

“Ju kisha lutur edhe juve si kolegë që ta mbështesni këtë propozim, sepse kështu nuk bëhemi pjesë e bllokimit. T’i thirrim arsyes që ta votojmë dhe të shkojmë në fazat tjera të formimit të institucioneve”, tha Konjufca.

Edhe Faton Peci e luste opozitën për të njëjtën temë.

“Kemi ba përpjekje për të zgjedhur kryetarin e Kuvendit, është e rëndësishme që të dihet se e drejta për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit i takon vetëm grupit më të madh parlamentar. I bëj thirrje që most ë vonojmë vendin për 48 orë në ardhje, ose 4 ditë të tjera, për shkak se kryetari i Kuvendit i takon VV-së. Është në dorën e tyre që të aprovojmë propozimin e VV-së për kryetar të Kuvendit, në të kundërtën nuk mundemi me ec tutje. Do t’i kemi numrat për qeveri. Negociatat vazhdojnë”, tha ai, raporton Nacionale.

Kjo pak a shumë sikur kthimi i Kurtit pasi e kishte quajtur opozitën ‘hajvanat’.

Në ditën e zgjedhjeve i kishte quajtur hajvanë, e pas zgjedhjeve e ftonte Lumir Abdixhikun në takim.

Në anën tjetër, partitë në opozitë kanë qëndrime të ndryshme për këtë temë.

PDK-ja ka kërkuar që të ndërrohet emri i Albulena Haxhiut.

LDK-ja ka theksuar se nuk e voton asnjë kandidat të Vetëvendosjes.

AAK-ja ka propozuar për votim Shqipe Selimin dhe Saranda Bogujevcin.

Kurse Nisma e Fatmir Limajt deri më tash, ka abstenuar.

Deputetja boshnjake, Duda Balje, nuk e ka përkrahur Albulena Haxhiun për kryetare të Kuvendit.

Të ngjashme