Lajme
Qeverisë Kurti tash i duket “Marrëveshja për Asociacionin” si 32 tjerat të nënshkruara në Bruksel, dikur i dogji institucionet për të
Demokracia
17:27 | 23 Maj 2022

Share:

Zëvendësi i Kurtit, Besnik Bislimi, sot ka raportuar para Komisionit Parlamentar për Punë të Jashtme dhe Diasporë lidhur me dialogun me Serbinë.

Duke u munduar të dukej sa më pragmatik gjatë raportimit para deputetëve, Bislimi përmendi një përgjigje të kryeministrit Albin Kurti, kur në kryeqendrën e diplomacisë evropiane ishte marrë një shembull me hotel, për ta përshkruar arritjen e marrëveshjes finale Kosovë-Serbi, përcjell Demokracia.com.

“Kemi pasur, nëse më kujtohet, njëherë në Bruksel një diskutim rreth kësaj ku neve na është thënë që diskutimet funksionojnë në atë mënyrë, që sikurse në një hotel ku ne detyrohemi të rregullojmë dhomë për dhomë”, ka thënë Bislimi, duke shtuar se “përgjigja e z. Kurti ka qenë që ashtu rregullohen, mirëpo fillimisht vendoset kualiteti i hotelit, a është me 4 yje apo 5 yje, sepse pastaj edhe rregullimi i dhomave vendoset nga kualiteti i hotelit”, theksoi zëvendëskryeministri Besnik Bislimi.

I pyetur nga deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ariana Musliu- Shoshi, nëse është më me rëndësi të kemi një marrëveshje finale me Serbinë, Bislimi thotë se ideale do të ishte të kemi marrëveshje në vitin 2013-2014, por nuk e kemi pasur.

“Ideale do të ishte të kishim këtë marrëveshje në vitin 2013- 2014, por nuk e kemi pasur. Procesi i dialogut ka filluar për çështje teknike, sepse me Serbinë s’ke çka të flasësh, këtë e ka sqaruar opinioni i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, i cili thotë se shpallja e Pavarësisë së Kosovës nuk është në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar”, ka thënë Bislimi, përcjell Demokracia.com.

Cili është qëndrimi i Qeverisë Kurti për Asociacionin e Komunave Serbe?

Lëvizja Vetëvendosje gjatë kohës sa nuk ishte në pushtet, gjithmonë e kundërshtonte Asociacionin e Komunave Serbe në Kosovë, duke organizuar edhe protesta dhunshme, ndërsa sot këtë e shohin si një nga 33 marrëveshjet e Brukselit.

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka thënë se në Bruksel janë nënshkruar 33 marrëveshje dhe se Brukseli i kushton më shumë rëndësi Asociacionit se marrëveshjeve të tjera.

“Në Bruksel janë nënshkruar 33 marrëveshje. Ka vetëm dy mënyra sesi këto marrëveshje mund të rangohen. Mënyra e parë është me alfabet. Mënyra e dytë është në mënyrë kronologjike. Por, nuk ka asnjë tendencë që marrëveshjet të rangohen në bazë të rëndësisë. Ne e shohim marrëveshjen e Asociacionit si një nga 33 marrëveshjet. E dikush nëse e sheh marrëveshjen e asociacionit ndryshe nga kjo apo i jep rëndësi mbi proporcionale vetëm se dëshmon se ka pritje të tjera nga ai instrument sesa ato kanë qenë fryma gjatë negocimit, e dikush thotë se asociacioni është më i rëndësishmi. Ka në ndërdije diçka në plan. Për neve gjithë zhurma që është ngritur rreth asociacionit është artificiale, ndërkaq kur unë dua të di sepse Brukseli merret apo alokon më shumë kohë tek asociacioni se tek marrëveshjet e tjera, përgjigjja është se ju në Kosovë e bëni të tillë, sepse juve ju thonë gazetarët e partitë politike se çka do të bëni me asociacionin, e kjo bëhet temë vetvetiu, e ushqejmë temën koti, e vazhdojmë ta trajtojmë si një nga 33 marrëveshjet dhe jemi në rregull”, ka thënë Bislimi./Demokracia.com/

Të ngjashme