Lajme
Qeverisë i kërkohet themelimi i Asociacionit
Demokracia
11:36 | 26 Shtator 2022

Share:

Qeveria e Kosovës duhet ta themelojë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe. Kështu thonë për Radio Kosovën analistët në vend, të cilët parashikojnë që në rast të eskalimit të situatës, serbët në veri, të përkrahur nga Beogradi, mund të fillojnë aktivitete politike për jetësimin e Asociacionit të Komunave Serbe.

Themelimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe vazhdon të jetë “pikë e nxehtë” e debatit ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe Serbisë. Derisa Qeveria e Kosovës këmbëngul që ajo duhet të themelohet mbi vendimin e Gjykatës Kushtetuese, Serbia zyrtare kërkon që ky asociacion të ketë kompetenca ekzekutive.

Ndërkaq bashkësia ndërkombëtare ka shtuar presionin mbi Kosovën për themelimin e këtij asociacioni.

Lulzim Peci, drejtor Ekzekutiv i Institutit Kosovar për Hulumtim dhe Zhvillim të Politikave, thotë se Qeveria e Kosovës duhet ta themelojë këtë asociacion si pjesë e obligimeve ndërkombëtare që ka marrë përsipër.

“Mendoj që Qeveria e Kosovës refuzimin nuk e ka në rregull, sepse çështja e asociacionit nuk lidhet më marrëveshjen përfundimtare. Kosova ka obligim ndërkombëtar që ta zbatojë atë. Mirëpo, unë mendoj që është edhe në interes të Kosovë, që ajo të bëhet me pakon përfundimtare të marrëveshjes me Serbinë, sepse këtu është një çështje shumë me rëndësi e që nëse ka vullnet politik, kjo marrëveshje mund të arrihet brenda muajve  në vijim, brenda gjashtë muajve. Dhe në këtë rast, nëse arrihet marrëveshja, në të cilën domosdoshmërish do të jetë edhe Asociacioni i Komunave, atëherë besoj që edhe ky problem do të tejkalohet”, deklaroi Peci për Radio Kosovën.

E analisti Drizan Shala thotë se nëse eventualisht situata eskalon pas skadimit të afatit të regjistrimit të makinave të serbëve deri më 31 tetor, atëherë mund të pritet që serbët e veriut, të përkrahur nga Beogradi të fillojnë aktivitete politike për jetësimin e Asociacionit të Komunave Serbe.

“Beogradi dhe strukturat kriminale të udhëhequra nga Beogradi zyrtar në veri të Kosovës, janë të përgatitura që krahas veprimeve që e dëmtojnë shtrirjen e autoritetit zyrtar të Policisë së Kosovës në atë pjesë të vendit, të ketë zhvillime edhe në nivel politik, ku në këtë aspekt do të kërkohet edhe angazhimi i UNMIK-ut, në ndihmesën e krijimit të këtij asociacioni dhe në këtë aspekt qeveria duhet të jetë syçelë”, tha Shala

Kosova dhe Serbia arritën Marrëveshjen e Brukselit më 19 prill 2013. Një pjesë e kësaj marrëveshjeje i kushtohet formimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë serbe në Kosovë, shkurt e njohur si AKS.

Bazuar në këtë marrëveshje, asociacioni do të ishte një strukturë e komunave me shumicë serbe në Kosovë, e cila synon t’i integrojë serbët në tërë territorin e Kosovës.

Gjykata Kushtetuese  e Kosovës në vitin 2015 kishte konstatuar se parimet për themelimin e këtij asociacion nuk janë në tërësi në përputhje me kushtetutën e Kosovës.

Të ngjashme