Lajme
Qeveria ta ketë në konsideratë interesin e Kosovës – të dorëhiqet
Demokracia
19:31 | 26 Maj 2024

Share:

Politika është përtej votave dhe ideve e bindjeve individuale. Mund të kesh idetë më të mira, por, të dështosh në menaxhim, në të kuptuar të rrjedhës së historisë, të politikës ditore edhe asaj strategjike të fuqive të mëdha. Ky dështim, sjell pasoja.

Nëse vështrohet historia e re e Kosovës, dëshmohet se Kosova i takonte fati në fundshekull të përfshihej në të njëjtin tren, në kohë dhe drejtim me idetë shekullore të popullit tonë, në pajtim me rrjedhën e historisë dhe interesave të fuqive. U krijua UÇK-ja dhe bëri aleat, NATO-n. Synim i pabesueshëm, por, u arrit.

Çlirimi i Kosovës solli edhe Pavarësinë, njohjen e mbi 115 shteteve, me institucione, Kushtetutë, sistem demokratik shembull në rajon. Sistem, sado i brishtë, ishte shembull demokracie. Asnjëra nga qeveritë e derisotme, nuk shfaqi etje e uri për pushtet. As qeveria aktuale nuk duhet të bëj përjashtim. Shteti e pushteti janë të çështje të ndryshme.

Qeveritë e deritashme, nuk e përfunduan mandatin katërvjeçar, për shumë arsye, dhanë dorëheqje apo votuan për shpërndarje të parlamentit. Kujtojmë këtu koalicionin PDK-LDK me 86 vota, por, dha dorëheqje. Fundja, kjo qeveri, nuk i ka 86 numra dhe ende hamendësohet.

Qeveritë e mëparshme të Kosovës, nuk e kryen mandatin deri në fund, dhe sigurisht, nuk e kishin të lehtë dorëheqjen, por e bënë. Çështje primare ishte Kosova, qëndrimi i tyre në pushtet i bënte keq Kosovës, dhe u tërhoqën. Pres që edhe kjo qeveri, ta ketë në konsideratë interesin e Kosovës.
Stagnimit të Kosovës duhet t’i vije fundi. Qasja e re në politikën e brendshme dhe të jashtme do ndryshuar. Deri sa nuk u arritën asnjë nga qëllimet e programit të partisë në pushtet, dorëheqja është shenjë pjekurie. Dorëheqja e Kryeministrit nuk do të thotë shkuarje e menjëhershme në zgjedhje.

Dorëheqja si akt moral për rrethanat e krijuara, nuk e ligë Kryeministrin. Me këtë akt nuk mbaron bota. Prandaj, dorëheqja do të ishte akt edhe guximi, edhe vizioni të pambaruar në ofertën për qytetarët në zgjedhjet e parakohshme.

Kosova meriton më mirë, më shumë, më shpejtë dhe dorëheqja e Kryeministrit do të ishte rast e mundësi për qytetarët, të zgjedhin tejkalimin e stagnimit ekonomik, ndalimin e degradimit të raporteve me aleatët dhe perspektivën euro-atlantike.

Anketat e dëshmuan se jemi populli me dashurinë më të madhe në botë për Amerikën, të tillë, do të ishte mirë ta kemi edhe Qeverinë. Mendimi im personal, është vlerë e shtetit që po ndërtojmë, madje, është pasojë e situatës për të cilën reflektoj si qytetar i devotshëm i Kosovës.

Të ngjashme