Lajme
Qeveria synon themelimin e një agjencie që sipas njohësve është e panevojshme
Demokracia
23:23 | 30 Qershor 2024

Share:

Qeveria po planifikon ta themelojë një agjenci të re që ka për qëllim rritjen e investimeve dhe eksportit, ndonëse ekziston Agjencia për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KISEA) në kuadër të Ministrisë së Industrisë. Kjo agjenci pritet ta forcojë bashkëpunimin mes bizneseve dhe furnizuesve vendorë. Mirëpo, themelimin e kësaj agjencie, po e shohin te panevojshëm njohësit e çështjeve ekonomike.

Me qëllim të rritjes së investimeve dhe eksportit, Qeveria ka në plan që këtë vit ta themelojë Agjencinë për Investime dhe Eksport, si pjesë të programit për reforma në ekonomi.

Kjo agjenci, sipas Qeverisë, do të ketë për qëllim vendosjen dhe forcimin e bashkëpunimit të biznesit me furnizuesit vendorë dhe promovimin e eksportit, të kompanive vendase në tregjet e huaja.

“Masa synon zhvillimin e industrisë me të integruar globalisht, përmes rritjes dhe diversifikimit të eksporteve, digjitalizimin e përshpejtuar të prodhimit dhe teknologjisë së avancuar për prodhimin e produkteve inovative dhe të gjelbra, si dhe përdorimin më të mirë të burimeve natyrore vendore dhe materialeve të ricikluara. Masa ndërlidhet me Strategjinë Kombëtare për Zhvillim 2030, PKZH-në, Programin e Qeverisë 2021-2025 dhe Kornizën Afatmesme të Shpenzimeve KASH 2024-2026”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.

Por, një gjë e tillë, sipas njohësve të çështjeve të ekonomisë, nuk është e nevojshme, shkruan Koha.

“Ka me qenë një komplikim i burokracisë që e kemi brenda shtetit tonë dhe që do të komplikohet komplet sistemi ekonomik dhe procedurat e eksportit të vendit tonë. Kemi eksporte jashtëzakonisht në nivel të ulët, bilanci tregtar është 95 me 5, pra duhet lehtësira e jo komplikime më tepër”, ka deklaruar Fidan Qerimi, njohës i çështjeve ekonomike.

Sipas Qerimit, këtë funksion deri më tani e ka kryer Agjencia për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KISEA), në kuadër të Ministrisë së Industrisë.

Ai ka theksuar se krijimi i një agjencie tjetër të tillë, do të krijojë barriera te bizneset.

“Do të ketë duplifikim të kompetencave që kjo e bën edhe më të vështirë për bizneset ku të orientohen dhe do të ishte më mirë që KIESA të bartet nga Ministria e Industrisë në Ministri të Financave, pra Qeveria po krijon barriera tek bizneset”, ka shtuar Qerimi.

Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, eksporti i mallrave në muajin maj 2024 kishte vlerën 85,7 milionë euro, ndërsa importi 516,3 milionë euro, që është një rritje prej 14,6% për eksport, si dhe një rënie prej -0,3% për import, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2023.

Të ngjashme