Lajme
Qeveria synon që deri në gusht të hartojë ligjin për çmimet në produktet bazë
Demokracia
11:05 | 20 Korrik 2022

Share:

Qeveria e Kosovës synon që deri në fillim të muajit gusht të hartohet Projektligji për mbrojtjen e furnizimit me produktet themelore.

Deri në fillim të gushtit duhet të hartohet projektligji për mbrojtjen e furnizimit të produkteve themelore, ka thënë kryeministri Albin Kurti në mbledhjen e Qeverisë të mërkurën, duke shtuar se ky projektligj është i pashmangshëm për të adresuar gjendjen e krijuar në treg nga ngritja e çmimeve.

Po përditësojmë agjendën legjislative që të hartojmë rregulla që do ta mbrojnë qytetarin nga vendosja e çmimeve të papërballueshme në sigurimin e furnizimit të ushqimit në produktet bazë. Për të adresuar gjendjen e krijuar në treg është e pashmangshme që projektligji për mbrojtjen e furnizimit me produktet themelore të hartohet sa më parë, konkretisht deri në fillim të muajit gusht, natyrisht të këtij viti”, ka thënë ai.

Kujtojmë se pas ngritjes së çmimeve të derivateve, Qeveria mori vendim për vendosjen e çmimit tavan dhe marzhës maksimale të fitimit nga shitja e derivateve.

Qeveria e ka cilësuar të suksesshëm vendosjen e çmimit tavan për naftën, ndërsa Kurti ka thënë se njëjtë do të veprohet edhe me çmimet e produkteve esenciale, pa shkelur ligjin dhe Kushtetutën.

Të ngjashme