Lajme
Qeveria s’ka sinjal | Parregullsi u raportuan nga sinjalizuesit vetëm në tri ministri
Demokracia
11:21 | 08 Mars 2022

Share:

Inkurajimi i kryeministrit Albin Kurti që të sinjalizohen rastet e korrupsionit nga zyrtarët sinjalizues, që janë emëruar nëpër institucione, nuk është se ka treguar shumë rezultat.

Ligji me Nr. 06/L -085 për Mbrojtjen e Sinjalizuesve, i miratuar nga Kuvendi i Kosovës, parasheh që çdo institucion ta ketë zyrtarin sinjalizues, në të kundërtën shqiptohen gjoba nga gjykata.

“Gjykata kompetente shqipton gjobë prej pesëqind (500) euro deri në njëzetmijë (20.000) euro për institucionin publik apo subjektin privat si dhe autoritetin kompetent përkatës, në rast se nuk cakton zyrtarin përgjegjës”, thuhet në këtë ligj, përcjell Demokracia.com.

Megjithatë, në tri ministri sinjalizuesit kanë ndezur dritën e kuqe se punët nuk po kryhen si duhet, prandaj edhe kanë lajmëruar institucionet përkatëse.

Edhe në Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike kanë konfirmuar për Demokracia.com se kanë pranuar dy raste të sinjalizimit gjatë vitit 2021.

“Referuar kërkesës tuaj, ju informojmë se gjatë vitit 2021 kemi pranuar dy raste të sinjalizimit në Ministrinë e Punëve të Brendshme (duke mos i përfshirë Agjencitë e MPB-së) dhe në përputhje me Ligjin (Nr.06/L-085) për mbrojtjen e sinjalizuesve që të dyja rastet janë trajtuar”, thuhet në përgjigjen e kësaj ministrie për Demokracia.com.

Një sinjalizim ka ndodhur edhe në Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve, rast ky që është lajmëruar edhe në Agjencinë Kundër Korrupsion.

“Bazuar në legjislacionin në fuqi, zyrtari përgjegjës për pranimin e sinjalizimeve në kuadër të MFPT-së, ka raportuar në Agjencinë Kundër Korrupsionit rreth rasteve të sinjalizimeve në ministri”, thuhet në përgjigjen e tyre për Demokracia.com.

Demokracia.com ka dërguar pyetje edhe nëpër ministri të tjera për t’i pyetur për raste të sinjalizimit, por shumica nuk kanë kthyer fare përgjigje.

Në Ministrinë e Shëndetësisë për Demokracia.com është konfirmuar se gjatë vitit të kaluar janë sinjalizuar dy raste të parregullsive që janë lajmëruar tek zyrtarët përgjegjës.

“Në kuadër të kësaj, në vitin 2021, janë pranuar dy sinjalizime për dyshimin e njëjtë në moskryerjen e duhur të detyrës zyrtare, dhe të njëjtat janë përcjellë tek autoriteti kompetent, me ç’rast edhe janë marrë masat e duhura në pajtim me ligjin në fuqi”, është bërë e ditur nga Ministria e Shëndetësisë.

Kryeministri Albin Kurti përmes një videomesazhi më 6 gusht 2021 i kishte inkurajuar të gjithë punonjësit që të sinjalizojnë parregullsitë, shkeljet ligjore dhe abuzimet.

Ai i kishte siguruar se çdo raportues brenda institucionit ku punon do të mbrohet me ligj.

“Legjislacioni ynë për mbrojtjen e sinjalizuesve është tejet i avancuar. Është sipas standardeve ndërkombëtare. Ai ju garanton mbrojtje, andaj sinjalizoni”, kishte thënë Kurti. /Demokracia.com/

Të ngjashme