Lajme
Qeveria s’ka militantë për t’i emëruar në Bordin e Hidrodrinit, kompania që 6 muaj me bord të përkohshëm
Demokracia
16:17 | 06 Prill 2022

Share:

Po bëhen gjashtë muaj që kompania publike rajonale e ujësjellësit “Hidrodrini” në Pejë po menaxhohet nga një bord i përkohshëm.

Sipas Ligjit për Ndërmarrjet Publike, asnjë ndërmarrje nuk guxon të veprojë me bord të përkohshëm më shumë se gjashtë muaj.

Bordi i kësaj ndërmarrjeje është shkarkuar nga Qeveria e Kosovës, më 13 tetor 2021, raporton Demokracia.com.

Pikërisht në ditën e shkarkimit, Qeveria e kishte zëvendësuar me një bord të përkohshëm, i cili përbëhet nga Bajram Mustafa, Zamire Beqiri, Luljeta Latifaj dhe Abedin Neziraj.

Në nenin 43 të Ligjit për Ndërmarrjet Publike thuhet se Qeveria është e autorizuar që të emërojë një Bord të Përkohshëm të Drejtorëve (“Bordi i Përkohshëm i Drejtorëve”) për secilën NP për të shërbyer në cilësinë e Bordit të Drejtorëve të NP-së për një periudhë gjashtë mujore, duke filluar nga data e hyrjes në fuqi të këtij ligji.

Po ashtu, në ligj thuhet se Qeveria do ta ushtrojë këtë autoritet sa më shpejt që të jetë e mundshme, pas hyrjes në fuqi të këtij ligji.

Ky bord, sipas ligjit, mund ta kryejë detyrën vetëm edhe një javë.

Por, Qeverisë duket se nuk po i ngutet. Ajo ka shpallur konkursin për bordet e shtatë ndërmarrjeve publike më datën 11 shkurt, por ata ende nuk janë përzgjedhur.

Qeveria ka shpallur konkurs për këto borde:

Kompaninë Rajonale të Ujitjes Drini i Bardhë, Sh. A, Pejë;

Kompaninë Rajonale të Ujësjellësit Hidrodrini, Sh. A, Pejë;

Kompaninë Rajonale të Ujitjes Radoniqi – Dukagjini, Sh. A, Gjakovë;

Kompaninë Rajonale të  Ujësjellësit Hidroregjioni Jugor, Sh. A, Prizren;

Kompaninë Rajonale të  Ujësjellësit Bifurkacioni, Sh. A. Ferizaj;

Hekurudhat e Kosovës –Train Kos, Sh. A;

Kompania për Menaxhimin e Deponive, Sh. A./ Demokracia.com/

Të ngjashme