Lajme
Qeveria: Situata drejt stabilizimit në Mitrovicë, Istog dhe Skenderaj, gjendje më e vështirë në Klinë
Demokracia
23:40 | 19 Janar 2023

Share:

Qeveria e Kosovës me anë të një njoftimi ka thënë se situata po shkon drejt stabilizimit në Mitrovicë, Skenderaj dhe Istog pas vërshimeve nga reshjet e dendura të shiut. Megjithatë, situate më e vështirë mbetet në Klinë.

Me anë të një njoftimi të lëshuar në ‘Facebook’, Qeveria thotë se në Mitrovicë dhe Skenderaj janë dërguar gjashtë ekipe shtesë nga Agjencia për Menaxhimin e Emergjencave.

“Qeveria e Republikës së Kosovës, së bashku me të gjitha institucionet e saj vartëse po vazhdon angazhimin e saj në përballje me vërshimet e shkaktuara pas reshjeve të mëdha. Aktualisht situata po shkon drejt stabilizimit në Istog, Mitrovicë dhe Skenderaj. Në Mitrovicë dhe Skenderaj janë dërguar dhe kanë arritur gjashtë ekipe shtesë të Agjencisë për Menaxhimin e Emergjencave konkretisht nga tri ekipe shtesë për këto dy komuna. Situata mbetet më e vështirë në Klinë, ku po dërgojmë përforcime shtesë me zjarrfikës nga komunat përreth”, bëhet e ditur në njoftim.

Qeveria bën thirrje tek qytetarët e zonave të rrezikuara të kenë kujdes në lëvizjet e tyre dhe të shmangin rrugë-kalimet me ujë. /Demokracia.com/

Të ngjashme