Gjithsej shpenzimet e qeverisë në vitin 2024 ishin 3,189.3 milionë euro, ndërsa shpenzimet në vitin 2023 ishin 2,925.5 milionë euro.
Qeveria në detyre që drejtohet nga Albin Kurti nuk po mundet assesi t’i menaxhojë siç duhet milionat e shtetit.
Nën drejtimin e Kurtit, përgjatë vitit të kaluar janë rritur shpenzimet për miliona euro në Qeveri, shkruan Demokracia.com.
Shpenzimet gjatë vitit 2024 kanë shkuar në 3 miliardë e 189.3 milionë euro, dërsa shpenzimet në vitin 2023 ishin 2 miliardë e 925.5 milionë euro.
“Gjithsej shpenzimet e Qeverisë së Përgjithshme në vitin 2024 ishin 3,189.3 milionë euro, ndërsa shpenzimet në vitin 2023 ishin 2,925.5 milionë euro”, thuhet në një raport të ASK-së.
Tutje tregohet se shpenzimet më të mëdha ishin bërë për kompensime të punëtorëve.
“Pjesën më të madhe të shpenzimeve e përbëjnë: kompensimi i punëtorëve 25%, kontributet sociale dhe përfitimet 24%, formimi i kapitalit bruto 16%, konsumi i ndërmjetëm 14%, ndërsa pjesa e mbetur e shpenzimeve është shpërndarë në kategoritë tjera të shpenzimeve”.
ASK ka treguar po ashtu se gjatë vitit të kaluar janë rritur edhe te hyrat, por që ato kryesisht kane qenë nga taksat e qytetarëve.
Gjithsej të hyrat e Qeverisë së Përgjithshme në vitin 2024 ishin 3,222.7 milionë euro, ndërsa të hyrat në vitin 2023 ishin 2,860.7 milionë euro.
“Pjesën më të madhe të të hyrave e përbëjnë tatimet në produkte, të cilat paraqesin 71% të totalit të të hyrave, tatimet rrjedhëse në të ardhura 15%, pagesat për prodhimin jashtë tregut (shitjet) 4%, ndërsa pjesa e mbetur e të hyrave është shpërndarë në kategori tjera të të hyrave”.
Këto të dhëna, Agjencia e Statistikave të Kosovës [ASK] i bëri të ditura me publikimin e Llogarive Qeveritare për periudhën 2020-2024. Ky publikim paraqet pasqyrën e të hyrave dhe shpenzimeve qeveritare brenda kësaj periudhe.
Sipas ASK-së, ky publikim është përgatitur në përputhje të plotë me Udhëzuesin e Fondit Monetar Ndërkombëtar për Statistikat e Financave Qeveritare (GFSM 2014) dhe sipas Sistemit të Llogarive Evropiane (ESA 2010).
Burimet e të dhënave për ASK-së, janë Ministria e Financave – Departamenti i Thesarit dhe Trusti i Kursimeve Pensionale të Kosovës. /Demokracia.com/.