Lajme
“Qeveria nuk kishte vullnet për themelim të Asociacionit”: Çka thanë dy ekspertët e KiE në raportin për Kosovën?
Demokracia
20:38 | 29 Nëntor 2023

Share:

Dy eskpertë të pavarur të angazhuar nga Këshilli i Evropës dorëzuan raportin e tyre të shkruar – siç edhe pritej – pas kalimit të fazës fillestare të aplikimit të Kosovës në KiE. Vlerësimet dhe analizat e tyre prekan sfera të ndryshme ligjore, kushtetuese, të drejtat dhe liritë e njeriut, minoritet, e të tjera.

Vizita e tyre rastisi të jetë – siç e thonë ata vet në raport – mu në datën 24 shtator kur në veri të Kosovës ndodhi sulmi paraushtarak dhe terroristë nga militantë serbë të Millan Radojçiq.

Kapitull i veçantë në këtë raport është Asociacioni i Komunave të banuara me shumicë serbe – që “është obligim ndërkombëtar për Kosovën”.

Çka është koment interesant nga dy ekspertët e pavarur – Thomas Markert dhe Sia Spiliopolou Akermark – të cilët në rend të parë të analizimit të tyre shkruajnë se “në kohën gjatë vizitës sonë, qeveria aktuale duket që nuk ka vullnet për themelimin e një Asociacioni të tillë”.

Eskpertët e angazhuar për hartimin e këtij raporti shtjellojnë çështjen e Asociacionit të Komunave të banuara me shumicë serbe qysh nga gjeneza e saj – Plani i Ahtisaarit – dhe te Marrëveshja e Brukselit (2013) dhe ajo e Parimeve (2015) teksa citojnë edhe aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës të dhjetorit 2015.

Për këtë të fundit thotë se “u abuzua” aktgjykimi i saj nga politikanë (i.e Lëvizja Vetëvendosje) duke e dhënë “per se” (në vetvete) të pazbatueshme Asociacionit, ndërsa për aktgjykimin e GJK-së thonë se ajo nuk e rrëzoi as “a priori as në përgjithësi”.

Ekspertët i referohet Kartës Evropiane për Vetëqeverisje Lokale – e cila është e ingranuar në Kushtetutën e Kosovës – dhe thonë se “përbrenda këtyre parametrave normativë duke ndjekur standardet ligjore vendore dhe evorpiane, do të duhej të ishte e mundshme të identifikoheshin mënyra kuptimplote të pajtueshme për Asociacionin e Komunave të banura me shumicë serbe”.

Duket se nuk ka asnjë arsye ligjore përse këto komunave nuk duhet të jenë në gjendje, në baza vullnetare, të bashkërendojnë ushtrimin e kompetencave të tyre dhe të bashkojnë në rastet e duhura ushtrimin e këtyre kompetencave, duke u kuptuar se ka kufizime të tilla; duke qenë se komunat me shumicë serbe në jug nuk kanë territor të afërt. Kjo qasje është në përputhje me planin e Ahtisaarit i cili parasheh që ‘Përgjegjësitë komunale në fushën e kompetencave të tyre dhe të zgjeruara mund të ushtrohen përmes partneriteteve komunale’”, vërejnë dy ekspertët, shkruan Nacionale.

Dy ekspertët thonë se ndonëse themelimi i këtij Asociacioni “nuk është një kërkesë e përgjithshnme që rezulton nga standardet e Këshillit të Evropës” por se ajo përbën “obligim ndërkombëtar” për Kosovën si dhe “është e patejkalueshme për të reduktuar tensionet mes komunitetit shumicë të Kosovës dhe pakicës serbe”.

Prandaj rekomandohet që autoritetet e Kosovës të braktisin kundërshtimin e tyre ndaj themelimit të Asociacionit dhe të hyjnë në negociata në mirëbesim për statutin e mundshëm të një shoqate të tillë, i cili do të duhej të ishte plotësisht në përputhje me rendin juridik të Kosovës”, shkruhet në raport.

Në fund të raportit ekspertët në pjesën e konkludimeve shkruajnë se “autoritetet duhet të braktisin kundërshtimin e tyre për themelimin e një Asociacioni të komunave me shumicë serbe dhe të hyjnë në negociata në mirëbesim për themelimin e një Asociacioni të tillë”.

Kosova ka pranuar në fund të tetorit një draft-Statut të Asociacionit të Komunave të banuara me shumicë serbe nga pesë emisarët euro-amerikanë, për të cilin, siç thonë, kanë dërguar komentet e tyre ndonëse në përgjithësi e kanë pranuar.

Ky statut – që s’është publikuar ende zyrtarisht – është publikuar nga ish-drejtori i AKI-së, Burim Ramadani, dhe siç thonë nga opozita dhe burime të ndryshme është në masën më të madhe të saj i ngjashëm me zyrtarin, e ku për më tepër përmbahet për referencë edhe Rezoluta 12/44 dhe në tërësi përbën autonomi territoriale për komunat serbe.

Të ngjashme