Lajme
Qeveria nuk i ndahet përkrahësit të Kurtit, mban sërish punëtori në hotelin e tij
Demokracia
20:20 | 22 Janar 2023

Share:

Gjatë dy ditëve të kësaj fundjave, Zyra e Kryeministrit së bashku me kabinetet politike të ministrive kanë zhvilluar punëtori të përbashkët. Edhe kësaj radhe, kjo punëtori është mbajtur në hotel “Garden”, hotel ky në bashkëpronësi të Shkëlzen Shalës, i cili është një përkrahës i madh kryeministrit Albin Kurtit, shkruan Demokracia.com.

Siç thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit, në këto takime të ndara sipas shtyllave bazë të Planit Kombëtar të Zhvillimit, ministritë prezantuan rezultatet, arritjet dhe sfidat tyre gjatë vitit të kaluar, si dhe planet dhe synimet për vitin 2023.

Por, duket se jo rastësisht kjo punëtori është mbajtur në këtë hotel. Ky hotel është në bashkëpronësi të Shkëlzen Shalës, i cili nga postimet në rrjetet sociale vërehet se është një përkrahës i madh kryeministrit Albin Kurti.

Edhe mbledhjen e dy Qeverive, asaj të Kosovës dhe Shqipërisë, Kurti kishte vendosur ta mbante pikërisht në këtë hotel dhe për këtë kishte raportuar Demokracia.com në qershor të vitit të kaluar.

FOTO| Dy qeveritë mblidhen në hotelin e përkrahësit të Albin Kurtit

Po ashtu, Demokracia.com përmes një kërkese zyrtare kishte siguruar edhe shpenzimet e bëra nga Qeveria Kurti në këtë hotel, të cilat më pas ishin bërë publike.

Salla për mbledhjen e dy qeverive dhe dreka zyrtare u kishte kushtuar në total 9 mijë e 482 euro.

DOKUMENT| Afër 18 mijë euro u shpenzuan në hotelin e përkrahësit të Kurtit për mbledhjen e dy qeverive

Në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve (ARBK) mund të shihet se hotel “Garden” është në bashkëpronësi të përkrahësit të Kurtit, të cilin ai po e favorizon me mbështetje.

Pas raportimeve të Demokracia.com, vetë Shala përmes një postimi në rrjetin social Instagram kishte publikuar një fotografi së bashku me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.

Shala në postimin e tij kishte shkruar se është me Kurtin. “Po me Albinin jam”, kishte shkruar Shala. /Demokracia.com/ 

 

Të ngjashme