Lajme
Qeveria nuk arriti as deri në gjysmë të rrugës
Demokracia
20:56 | 03 Janar 2024

Share:

Larg janë premtimet nga arritjet e Qeverisë së drejtuar nga Albin Kurti tre vjet pas marrjes së pushtetit, kanë vlerësuar përfaqësues të organizatave joqeveritare që monitorojnë punën e ekzekutivit. Kritikat e tyre përqendrohen në fushën e drejtësisë, administratës publike e qeverisjes lokale, ndërkohë që shprehen skeptikë sa i përket mundësisë së realizimit të programit qeverisës deri në fund të mandatit

Qeverisja e kryeministrit Albin Kurti është një vit e tre muaj larg përmbylljes së mandatit katërvjeçar. Monitorues të punës së ekzekutivit vlerësojnë se nuk ka mbërritur as në gjysmë të rrugës drejt realizimit të premtimeve të dhëna.

Kurti erdhi në pushtet më 23 mars të vitit 2021, pasi në zgjedhjet e parakohshme fitoi më shumë se 50 për qind të votave. Sipas drejtuesve e përfaqësuesve të tri organizatave, që mes tjerash, monitorojnë edhe punën e ekzekutivit, Qeveria ka dështuar të mbajë fjalën e dhënë e premtimet me të cilat erdhi në pushtet.

Në Lëvizjen FOL theksojnë mosrealizimin e reformave në sistemin e drejtësisë. Drejtoresha ekzekutive, Mexhide Demolli, thotë se nga Qeveria është harruar procesi i shumëpremtuar i vetingut.

“Ne e shohim në sistemin e drejtësisë që një reformë e shumëpremtuar ka ngecur dhe nuk shihet që do të realizohet gjatë këtij mandati, të paktën as që mund të shohim diçka konkrete që është zhvilluar sa i përket reformës në drejtësi… E kemi një proces të vetingut që filloi dhe që u harrua, lirisht e them u harrua, sepse jemi në vitin e tretë të kësaj qeverie dhe e kemi parë edhe gjatë rrugës që është e pamundur të bëhet”, ka thënë Demolli. “Pavarësisht rekomandimeve të Komisionit të Venecias që nuk e përkrahin një veting të plotë çfarë edhe e premtonte Lëvizja Vetëvendosje para ardhjes në pushtet, madje as ky, ta them, gjysmaku, shihet që nuk do të ketë një epilog gjatë këtij mandati qeverisës”.

Problematika në realizimin e premtimit për veting në sistemin e drejtësisë kanë identifikuar edhe në Grupin për Studime Politike dhe Juridike (GLPS). Arbëresha Loxha, drejtoreshë ekzekutive në GLPS, thotë me gjithë iniciativat e ndërmarra e ecuria e realizimit të tyre nuk ka qenë e mbarë.

“Një çështje që për ne ka qenë brengosëse është fakti që nisma e vetingut, por edhe Ligji për KPK-në edhe Ligjin për Prokurorinë Speciale edhe iniciativat e tjera ndonëse për shembull janë konsultuar me Komisionin e Venecias, kemi pasur opinion te komisioni i Venecias, të njëjtat kanë përfunduar me ose ndonjëherë mosmarrje parasysh të opinionit të tyre ose rekomandime e kanë pasur elemente kundërkushtetuese dhe shumë iniciativa ligjore kanë përfunduar për vlerësim në Gjykatën Kushtetuese dhe rrjedhimisht më vonë janë gjetur edhe elemente antikushtetuese për shumicën prej tyre”, ka thënë ajo.

“Mosndjeshmëria” ndaj kushtetutshmërisë së nismave ligjore të ndërmarra nga Qeveria, sipas Loxhës, ka bërë që të ketë ngecje në avancimin e proceseve të premtuara.

“Sa i përket iniciativës së vetingut konsiderojmë që ekziston njëfarë perceptimi që i njëjti si proces po shkon drejt një riforcimi dhe rishfrytëzimi të mekanizmave ekzistues e jo një veting i shkallës së gjerë, i cili do të përfshinte ndryshime kushtetuese që do të jepte vërtet rezultate konkrete në njëfarë mënyre pastrim të sistemit të drejtësisë”.

Demolli e Loxha konsiderojnë se Qeveria ka dështuar edhe në realizimin e premtimit për reformë në administratën publike. Ato theksojnë problemet në veprimet e ndërmarra, numrin e lartë të pozitave që drejtohen nga ushtrues detyre e mosemërimi i bordeve të ndërmarrjeve publike.

“Ne kemi pasur brengat tona të konsiderueshme si për Ligjin për Pagat, si për Ligjin për Zyrtarët Publikë, në kuptim të parimeve që mund të jenë shkelur, por edhe në kuptim të funksionimit pastaj të sistemit dhe vetë administratës publike”, thotë drejtoresha e Grupit për Studime Politike e Juridike, Arbëresha Loxha.

Loxha thotë se Qeveria Kurti karakterizohet me pozita që drejtohen nga ushtrues të detyrës, me procedura të përshpejtuara të ligjeve e kontestime të tyre në Kushtetuese.

“Theksoj që janë 11 ministri, të cilat ende kanë ushtrues detyre në funksionin e sekretarit të përgjithshëm dhe vetëm katër kanë sekretar me mandat”.

Shqetësimin për të njëjtën çështje e ndan edhe Mexhide Demolli nga lëvizja FOL. “Ne i kemi mbi 80 për qind të pozitave kyç, pozitave të larta në institucionet e Kosovës që vazhdojnë tash e tre vjet mandat me ushtrues detyre, siç janë sekretarët permanentë apo edhe pozitat e tjera. Kjo tregon shumë qartë se kjo qeveri nuk e ka pasur vullnetin, sepse mundësitë i kanë pasur”.

Ajo thotë se nuk është pritur që me gjithë numrin e madh të deputetëve me të cilët përfaqësohet pushteti në Kuvend të mos arrihen ndryshimet e premtuara.

“Ka pasur një shumicë në Kuvend që të paktën për disa prej ligjeve themelore e dimë që nuk do të duhej të kishte pengesë. Përkundrazi, e kemi parë një kuvend ndoshta sikur kjo legjislaturë nuk ka pasur të tjera në të kaluarën ku përkundër numrave dhe përkundër mundësive që i kishin ne kemi parë që seancat e shumta janë shtyrë për mungesë të kuorumit dhe shumë ligje si pasojë e kësaj edhe shumë procese të tjera, qoftë edhe të emërimeve nëpër pozita të ndryshme kanë ndryshuar si pasojë e mungesës së kuorumit në Kuvendin e Kosovës”, ka thënë Demolli. Ajo ka përmendur edhe mosrealizimin e premtimit për Bankën Zhvillimore, për banimin social, atë për ndërtimin e 160 çerdheve e për transparencë të plotë.

Përveç mosrealizimit të premtimeve, Demolli thotë se qeverisja e Vetëvendosjes ka shënuar regres në llogaridhënie e transparencë, premtim për fuqizim të së cilave është bërë po ashtu para ardhjes në pushtet.

“E dini tashmë sloganin e njohur transparenca radikale e dhënë gjatë fushatës parazgjedhore nuk shihet askund. Në të kundërtën e kemi një qeveri që është më e mbyllur thuajse nga të gjitha qeveritë e kaluara që kishim dhe një qeveri që i ikën llogaridhënies në shumë fusha të ndryshme. Do të thotë nuk pranojnë që të përballen qoftë me dështimet apo me një sukses nëse e kemi”, ka thënë ajo.

Premtimet për qeverisjen lokale që nuk u mbajtën

Në anën tjetër, Bekim Salihu, analist politikash në Institutin GAP thotë se pika më e dobët e Qeverisë janë investimet kapitale, e me gjithë premtimin, komunat e drejtuara nga Vetëvendosje janë favorizuar në ndarjen e mjeteve financiare.

Salihu thotë se afër tre vjet nga nxjerrja e planprogramit qeverisës asnjë nga politikat e premtuara në fushën e qeverisjes lokale nuk është përmbushur.

Ai përmend mosrealizimin e ndryshimeve të planifikuara në legjislacionin që prek vetëqeverisjen lokale. Veçon plotësim-ndryshimin e Ligjit për Vetëqeverisje Lokale, për Financat e Pushtetit Lokal dhe atë për Zgjedhjet Lokale.

“Asnjëra nga këto nuk është bërë. Ka pasur një tentativë për t`u plotësuar-ndryshuar Ligji për Vetëqeverisje Lokale, por për shkak që ky ligj bie në të ashtuquajturin ligj për interes vital, që nënkupton se plotësim-ndryshimi i këtij ligj kërkon edhe 2/3 e votave të komunitetit joshumicë të përfaqësuar në Kuvendin e Kosovës, kjo nuk ka ndodhur. Ka pasur procedura të hapura për plotësim-ndryshimin e Ligjit për Financat e Pushtetit Lokal, por që në fund është tërhequr nga Qeveria ky ligj dhe rrjedhimisht edhe masat që janë paraparë në kuadër të legjislacionit nuk kanë arritur të fuqizohen ose të miratohen”, ka thënë ai.

Tërheqja e Ligjit për Financat e Pushtetit Lokal, sipas Bekim Salihut, të GAP-it, ka bërë që të hiqet dorë nga një prej premtimeve “shumë pompoze” të kryeministrit Albin Kurti, atë për Grantin e Katërt për komunat.

“(Granti) ka paraparë grantin për çështje kapitale, grantin për çështje sociale dhe grantin e jashtëzakonshëm. Ky grant ndonëse është futur në versionin e parë të projektligjit të plotësim-ndryshim të Ligjit për Financa të Pushtetit lokal, më vonë, ashtu siç thashë, ky projektligj është tërhequr nga Qeveria dhe aktualisht do të thotë një grant të tillë nuk e kemi për komuna”.

Duke folur për premtimin, për shpenzimin e parasë publike që nuk do të ketë ndarje bazuar në preferenca politike, Salihu thotë se Qeveria ka favorizuar Podujevën, Shtimen e Gjilanin, që të gjitha të drejtuara nga Vetëvendosje, në projektbuxhetin e vitit 2023.

“Pra, kemi një gjendje e cila bie ndesh me premtimet ose planifikimet që kanë qenë fillimisht të paraqitura edhe në planprogram, por edhe në fushatë elektorale dhe sot rezultatet janë si të thuash zero sa i përket referencës të cilën e kemi bazuar në këto dokumente”, ka thënë ai.

GAP: Investimet kapitale – pika më e dobët e Qeverisë Kurti

Sa u përket investimeve kapitale, në Institutin GAP, vlerësojnë se ato janë pika më e dobët e qeverisjes së Kurtit.

“Të dhënat profesionale tregojnë që buxheti kryesisht shpenzohet në çështje të subvencioneve e më pak në kapitale. Kjo është hera e parë që do të thotë kategoria më e madhe ku janë shpenzuar paratë ka qenë pagat pastaj kanë ardhur investimet kapitale e treta ka qenë mallrat dhe shërbimet, e katërta subvencionet. Ndërkaq tani kemi një ndryshim të kësaj strukture të shpenzimeve, e para është paga, e dyta janë subvencionet, e treta janë shpenzimet kapitale e kështu me radhë”, ka thënë Bekim Salihu, analist politikash.

Një ndryshim i tillë, sipas tij, nuk është i mirë. “Për shkak që përmes investimeve kapitale përveçqë arrihet të kryhen çështjet të cilat prekin drejtpërsëdrejti jetën e qytetarëve ndikon edhe në zhvillimin ekonomik dhe në këtë drejtim konsideroj që kritika më përmbajtjesore për qeverinë Kurti është kjo, do të thotë mungesa e një orientimi strategjik sa u përket investimeve kapitale në vend”.

Përfaqësuesit e të tri organizatave joqeveritare që monitorojnë punën e ekzekutivit janë skeptikë sa u përket mundësive që Qeveria të arrijë të përmbushë premtimet e dhëna në pjesën e mbetur të qeverisjes.

“Jam shumë pesimiste në këtë drejtim sepse premtimet, siç thashë, kanë qenë shumë të mëdha dhe realizimi i tyre nuk shihet askund. Në shumicën prej tyre shihet që ka një dështim të shumë sektorëve dhe nuk pres që brenda një viti të bëhen përmirësimet”, thotë Mexhide Demolli, drejtoreshë ekzekutive në Lëvizjen FOL.

Ndryshimet në aspektin legjislativ, sipas Bekim Salihut nga Instituti GAP nuk janë të përfshira në strategjinë legjislative për vitin e ardhshëm, e rrjedhimisht nuk do të përmbushen synimet e premtuara. Sipas tij, janë dy sinjale të cilat çojnë në përgjigjen pse Qeveria nuk i ka përmbushur premtimet e dhëna. “Sinjali i parë është që ose planifikimi ka qenë i gabueshëm e më vonë udhëheqësit e institucioneve kanë parë që një planifikim i tillë nuk qëndron dhe do të duhej të ndryshohej gjatë ecjes ose ecja me të”, ka thënë ai.

E sipas drejtoreshës ekzekutive në GLPS, Arbëresha Loxha, përmbushja e premtimeve do të jetë e vështirë për vitin e fundit të mandatit. “Konsideroj që shumicën prej atyre që janë nisur që janë ende në faza të hershme do të jenë shumë të vështira për t’u përmbyllur, qoftë për proces të vetingut, qoftë për disa iniciativa të tjera ligjore, sepse kërkojnë kohë, kërkojnë konsultim më të gjerë…”, ka thënë ajo.

“Dialogu me Serbinë harxhoi energjinë e Qeverisë Kurti”

Loxha konsideron se harxhimi i energjisë në dialogun me Serbinë ka bërë që të mos arrihet realizimi i premtimeve të dhëna. “Një aspekt tjetër që vlen të theksohet është polarizimi i skenës politike, pra edhe në këtë mandat qeverisës nuk kemi konsensus politik as për çështjet më madhore, qoftë iniciativat e reformimit të sistemit të drejtësisë, por qoftë edhe për çështjet e dialogut e në fushat e tjera. Kështu që kjo konsideroj që gjithashtu ka rezultuar në dërgim në Gjykatën Kushtetuese të shumë iniciativave ligjore, mosmiratim ose mospjesëmarrje në votim për iniciativa të rëndësishme”.

Megjithëkëtë, ajo vlerëson përmbushjen e zotimit për aplikim në Bashkimin Evropian, por thotë se pret më shumë punë në çështjet e tjera të diplomacisë. “Ne vlerësojmë pozitivisht dhe si shumë të rëndësishme dorëzimin e aplikimit për anëtarësim në BE dhe gjithashtu dorëzimin e kërkesës për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe konsiderojmë që duhet të bëhen më shumë përpjekje për njohje të reja dhe gjithashtu edhe për anëtarësim në organizata të tjera ndërkombëtare”.

Rrjedhjen e afatit drejt përfundimit të qeverisjes kryeministri Albin Kurti e kujton kohë pas kohe. Në nëntor, kur udhëheqja e Qeverisë nga ai bëri 32 muaj, tha se “data si këto na shërbejnë si moment reflektimi mbi atë se çfarë kemi arritur si ekip”.

“Por, edhe na e kujtojnë se koha për të përmbushur zotimet tona dhe për të respektuar pritjet e qytetarëve tanë brenda mandatit të parë sa vjen e pakohet”, ka deklaruar kryeministri Kurti, në hapje të mbledhjes së Qeverisë së mbajtur më 22 nëntor.

Mts: Premtimet e dhëna

Rreth dy muaj pas marrjes së detyrës si kryeministër, Albin Kurti pati prezantuar disa prej synimeve të qeverisjes së tij, tek ka paraqitur për miratim programin qeverisës 2021-2024.

“Zotimet tona për krijimin e Bankës Zhvillimore dhe Fondit Sovran do t’i realizojmë deri në fund të mandatit, kurse vitin e ardhshëm do të shuhet Agjencia Kosovare e Privatizimit, i cili e dimë se është viti i parë i Qeverisë sonë, me buxhetin sipas programit tonë”, ka deklaruar Kurti në maj të vitit të parë të qeverisjes. “Do të ndërmarrim veting në drejtësi e prokurori dhe pozitat e larta në polici dhe inteligjencë. Nuk do të ketë asnjë qytetar në varfëri ekstreme, sepse do të reformojmë skemat sociale dhe do të aktivizojmë fuqinë punëtore. Do të rishikojmë skemat e asistencës dhe do të reformojmë sistemin pensional, do të sigurojmë shtesa për fëmijët, punësim të garantuar sezonal për një anëtar të familjes dhe rimbursim për familjet e varfra, do të ndërtojmë 160 çerdhe të reja për fëmijë anembanë Kosovës. Përmes rritjes së pagës minimale në 250 euro për 40 orë pune në javë dhe ngritjes së pragut të pagës, që nuk tatohet në nivelin e pagës minimale, do të sigurohemi që ata që kanë paga më të ulëta të kenë më shumë para në xhep në fund të muajit”.

Kryeministri pati premtuar përmbylljen e zhvillimit të sistemit informativ shëndetësor e rritjen e fondit të sigurimeve shëndetësore. “Deri në fund të mandatit do ta përmbyllim reformën e administratës publike. Do të zbatojmë diversifikimin e burimeve të energjisë, asetet strategjike do t’i mbështesim, ndërsa ‘Trepçën’ do ta bëjmë ndërmarrje fitimprurëse. Do t’i trajtojmë me prioritet mbrojtjen e resurseve natyrore dhe të mjedisit, si edhe efiçiencën e energjisë. Deri në fund të mandatit do të angazhohemi për qasje në ujë të pijshëm gjithandej. Po ashtu, të zgjidhet problemi me ujëra të zeza në Kosovë”, shkruan Koha.

Po ashtu është premtuar ndërtimi i rrugës Prizren-Tetovë, ndërtimi i Parkut Tekno-Industrial e reforma në arsim. “Zhvillimi bujqësor i qëndrueshëm dhe gjithëpërfshirës, duke mbështetur fermerët, do të jetë prioritet me qëllim të rritjes së produktivitetit dhe zhvillimit rural. Do ta transformojmë rrënjësisht sektorin duke eliminuar keqpërdorimet dhe duke ndërtuar ekonomi të qëndrueshme dhe siguri në ushqim”.

“Siguria dhe shëndeti në punë do të trajtohen me prioritet – deri në fund të mandatit do të ketë pesëfishim të inspektorëve të punës. Do t’u mundësojmë autonomi për investime kapitale komunave nëpërmjet Grantit të Katërt, ku do të vendosen kriteret profesionale të cilat u mundësojnë komunave të konkurrojnë me idetë dhe projektet e tyre për zhvillim të gjithanshëm”, ishin premtimet e Kurtit, tek i prezantonte ato si pjesë të programit të qeverisjes së tij katërvjeçare.

Në politikën e jashtme patën premtuar aplikim e anëtarësim në Kartën e Adriatikut, e zhvillimin e një dialogu “parimor, të përgatitur e të barabartë me Serbinë me marrëveshje të njohjes së ndërsjellë”. “Do të afrohemi dhe bashkëpunojmë ngushtë me Shqipërinë. Do ta përgatisim padinë për gjenocid ndaj Serbisë në GJND. Do të punojmë me përgjegjësi institucionale, llogaridhënie të vazhdueshme, kompetencë profesionale, ndershmëri qytetare, transparencë radikale, disiplinë organizative, si disa nga vlerat e qeverisjes sonë”, ka deklaruar Kurti në maj të vitit 2021.

Lidhur me realizimin e premtimeve të dhëna deri më tani e synimet për vitin e fundit të mandatit, KOHA ka pyetur edhe në Qeveri, por përgjigje nuk ka marrë që nga 24 nëntori. Kabineti qeveritar, në krye me Albin Kurtin, për një mandat katërvjeçar ka marrë miratimin në Kuvend më 22 mars të 2021-tës, pas fitores së më shumë se 50 për qind të votave.

Të ngjashme
Lajme • 05 Maj 2024