Lajme
Qeveria në “konflikt të hapur” me Gjykatën Kushtetuese
Demokracia
23:08 | 28 Qershor 2024

Share:

“Unë e ftoj Gjykatën Kushtetuese që në zgjedhjet e ardhshme të garojnë edhe ata, le të garojnë në zgjedhje. Nuk është a-politik nëse merr vendime për politikat, për ato garohet në zgjedhje. Kur ata të garojnë ju mund të votoni për ta”.

”Gjykata Kushtetuese praktikisht është duke e zëvendësuar Komisionin Parlamentar për Legjislacion. Unë nuk besoj që Gjykata Kushtetuese do duhej ta trajtonte secilin ligj që tejkalon Komisionin Parlamentar për Legjislacion. Në këtë kuptim, unë i ftoj Gjykatën Kushtetuese që në zgjedhjet e ardhshme të garojnë edhe ata”.

“Zgjodhi kësisoj të vonojë ndjekjen e krimit, ta vonojë reformën tonë”.

Këto janë vetëm tri nga deklaratat që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka bërë gjatë mandatit të tij kështu duke e sulmuar drejtpërdrejt Gjykatën Kushtetuese, aktin më të lartë juridik në vend.

Kritikat e Kurtit ndaj Gjykatës Kushtetuese vazhdimisht janë interpretuar si përpjekje për të sfiduar autoritetin e këtij institucioni.

Në vlerësimet e Kurtit, disa vendime të gjykatës janë të motivuara politikisht dhe dëmtojnë interesat e shtetit dhe qytetarëve të Kosovës – kjo pasi që për 9 herë radhazi Gjykata Kushtetuese vlerësoi se pushteti aktual e shkeli Kushtetutën.

Vetëm për tri ditë, gjykata konstatoi shkelje në tre vendime të Qeverisë – njëri për shkarkimin e anëtarit të Organit Shqyrtues së Prokurimit, tjetri për Ligjin për Byronë Shtetërore për Verfikimin dhe tjetri për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme e tjetri për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil.

Përveç Kurtit, pas këtyre vendimeve të Kushtetueses sulme pati edhe nga ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, transmeton albanianpost.

“Situata për ne është shumë e qartë, vullneti i qytetarëve për drejtësi po tentohet të përmbyset nga një grusht njerëzish që ende u shërbejnë dhe i kanë borxhe nomenklaturës së vjetër”, kishte shkruar ministrja Haxhiu më 26 qershor.

Pas këtyre deklaratave edhe Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë (OEAK), ka shprehur shqetësim për shkak të sulmeve të fundit verbale të liderëve të Qeverisë ndaj institucioneve të pavarura gjyqësore, me theks të veçantë tek Gjykata Kushtetuese.

“Institucionet e Kosovës kanë obligim të vazhdueshëm që të respektojnë sundimin e ligjit në të gjitha rrethanat, duke shmangur në këtë mënyrë ushtrimin arbitrar të pushtetit”.

Përmes një komunikate dërguar mediave ata kanë rekomanduar që institucionet e pavarura të veprojnë pa ndërhyrje me qëllim të ruajtjes së integritetit të procesit demokratik.

“Deklaratat që cenojnë këto institucione janë të papranueshme, meqë shkelin parimin e ndarjes së pushteteve dhe gërryejnë vlerat demokratike, për ndërtimin e të cilave, Kosova ka punuar shumë. Është detyrë e të gjitha palëve të interesit dhe zyrtarëve politikë të respektojnë kornizën kushtetuese dhe ligjore të shtetit”.

Thirrja e Odës Amerikanë ka qenë që të respektohet mesazhi që në të kaluarën u ishte është bërë edhe misioneve diplomatike, organizatave ndërkombëtare për respektim të vendimeve gjyqësore.

Ndërsa njohësit e çështjeve të drejtësisë i kanë vlerësuar vazhdimisht si “shqetësuese” dhe për “keqardhje”, sulme e kryeministrit si ndaj Prokurorisë, ashtu edhe ndaj Gjykatës Kushtetuese, pasi sipas tyre kreu i ekzekutivit duhet të jetë shembull për zbatimin e kushtetutshmërisë si dhe promotori më i madh i vendimeve të saj.

Të ngjashme