Lajme
Qeveria ndau 50 mijë euro për Luginën e Preshevës, por 2 milionët e premtuara para 7 muajve ende nuk i ka ekzekutuar
Demokracia
16:23 | 01 Qershor 2022

Share:

Më 30 tetor të vitit të kaluar, Qeveria e Kosovës kishte ndarë 2 milionë euro nga buxheti i saj për shqiptarët e Luginës së Preshevës.

Në mbledhjen e Qeverisë së para 7 muajve, kryeministri Albin Kurti ishte krenuar duke thënë se është hera e parë që është buxhetuar mbështetje për Luginën e Preshevës.

“Për herë të parë kemi buxhetuar mbështetje për Luginën e Preshevës, në shumë prej 2 milionë euro”, kishte deklaruar Kurti në mbledhjen e Qeverisë së mbajtur më 30 tetor të vitit 2021, raporton Demokracia.com.

Pavarësisht se kanë kaluar më shumë se shtatë muaj, këto mjete ende nuk i ka ekzekutuar Qeveria e Kosovës dhe sot më 1 qershor 2022, ka ndarë edhe 50 mijë euro të tjera për Këshillin Kombëtar të Shqiptarëve në Serbi.

Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Ragmi Mustafi, ka thënë se ky është një lajm shumë i mirë për qytetarët e Luginës së Preshevës.

“E para, e falënderojmë Qeverinë e Republikës së Kosovës për mbështetjen ndaj shqiptarëve të Luginës së Preshevës, që e ka buxhetuar në buxhetin e Republikës së Kosovës. Ky është një hap i madh dhe një lajm shumë i mirë. E dyta, e falënderojmë që sot ka ndarë 50 mijë euro me vendim të posaçëm, Qeveria e Republikës së Kosovës sa i përket mbështetjes së shqiptarëve të Luginës së Preshevës, konkretisht Këshillit Kombëtar Shqiptar për ndërkombëtarizimin dhe futjen në agjendën ndërkombëtare të çështjes së Luginës së Preshevës”, është shprehur Mustafi.

Tutje, Mustafi për Demokracia.com ka treguar edhe cili do të jetë destinimi i këtyre 50 mijë eurove.

“Na e kemi pas një mori kërkesash të ndryshme. Nga ato që të sigurojmë tekste mësimore e të ndryshme. Megjithatë është parë si prioritet ndërkombëtarizimi i çështjes së Luginës së Preshevës, përkatësisht lobimi tek institucionet ndërkombëtare, në mënyrë që të vihet në agjendat, edhe të asaj evropiane, edhe agjendës amerikane. Sepse, duke e pasur parasysh dialogun Kosovë-Serbi është më se e nevojshme edhe çështja e Luginës së Preshevës të jetë në këtë agjendë, në mënyrë që të trajtohet si temë e veçantë për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, që nënkupton edhe zgjidhjen e statusit juridiko-politik të shqiptarëve të Luginës së Preshevës”, tregoi ai.

Mustafi, po ashtu, për Demokracia.com ka treguar se ende nuk janë ekzekutuar as 2 milionë eurot të cilat Qeveria e Kosovës i kishte ndarë më 30 tetor të vitit të kaluar.

Sipas tij, si pasojë e mosekzekutimit të këtyre mjeteve, kanë mbetur peng edhe projektet që janë planifikuar të realizohen përmes këtyre mjeteve.

“Jemi në komunikim intensiv edhe për çështjet e tjera, për një çështje sa strategjike, po aq problematike, për të realizuar projekte konkrete të cilët do të duhej të financohen nga buxheti i Republikës së Kosovës, fondi i ndarë prej 2 milionë eurove. Ende nuk janë ekzekutuar. Jemi në komunikim e sipër sa i përket përcaktimit të fushave dhe përcaktimit të programeve dhe projekteve, të cilat do të duhej të financohen nga fondi. Absolutisht, ende nuk janë sqaruar komplet procedurat sa i përket transfereve financiare, por megjithatë edhe në të kaluarën, institucione nga Republika e Serbisë, përkatësisht shqiptarët, përkatësisht institucionet që i udhëheqin shqiptarët si Komuna e Preshevës, Bujanocit dhe Këshilli Kombëtar Shqiptar, kanë pranuar fonde nga Republika e Kosovës. Konsideroj se kjo do të shkojë në kuadër të funksionimit paraprak të tërheqjes së fondeve nga Republika e Kosovës në Luginë të Preshevës, në mënyrë që ato të jenë në funksionimin, përkatësisht implementimin e projekteve dhe programeve të përcaktuara nga bashkëbisedimi që e kemi me Qeverinë e Republikës së Kosovës. Ne si Këshill Kombëtar jemi në komunikim intensiv me zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi edhe sa i përket ekzekutimit të fondit prej 2 milionë eurove, por që ende nuk është përcaktuar një kornizë e qartë, përkatësisht e të gjitha projekteve dhe programeve që do të duhej të financoheshin nga ai fond”, theksoi Mustafi. /Demokracia.com/

Të ngjashme