Qeveria Kurti ka marrë vendim që linja e telefonisë fikse së nëpunësve civilë të kontrollohet nga Departamenti i Teknologjisë Informative në Ministrinë e Punëve të Brendshme.
Në dokumentin e siguruar nga Demokracia.com, të dalë nga mbledhja e fundit e Qeverisë, precizohet se instalimi i kësaj telefonie fikse do të realizohet vetëm nëpërmjet departamentit të IT-së në MPB.
“Pajisja me telefona për nëpunësit civil realizohet pas plotësimit të formularit në Shtojcën 1. të këtij Vendimi, të nënshkruar nga drejtori i departamentit dhe të miratuar nga Zyrtari Kryesor Administrativ i institucionit përkatës. Instalimi realizohet vetëm nga punonjësit e departamentit të teknologjisë informative (“DTI”) apo nga pala e kontraktuar, nën mbikëqyrjen e DTI-së”, thuhet në vendimin e Qeverisë.
“Obligohet DTI në Ministrinë e Punëve të Brendshme për mirëmbajtjen e rrjetit telefonik fiks në Qeverinë e Kosovës”, vijon vendimi.
Në këtë vendim, Qeveria bën me dije se telefonat zyrtarë do të përdoren vetëm për biseda zyrtare.
Gjithashtu, Qeveria do të obligojë nëpunësit civilë të paguajnë tejkalimet e shpenzimeve të lejuara nga xhepi i tyre, nëse ata nuk do të jenë në gjendje t’i arsyetojnë këto shpenzime. /Demokracia.com/