Lajme
Qeveria Kurti shkel të drejtat e njeriut me projektligjin për kontrollimin e zyrtarëve, e kopjoi nga ky shtet
Demokracia
20:13 | 19 Janar 2022

Share:

Qeveria e Kosovës e drejtuar nga Albin Kurti po synon t’i kontrollojë zyrtarët në administratën shtetërore. Pushteti qendror po tenton që ta bëjë këtë përmes një projektligji për Inspektimin Administrativ i cili është duke u kundërshtuar fuqishëm nga Asociacioni i Komunave të Kosovës. Idenë për këtë projektligj, qeveria siç duket e ka marrë nga shteti i Sllovenisë, por me disa ndryshime të cilat e lejojnë t’i kontrollojë zyrtarët publikë duke ua shkelur të drejtat e njeriut.

Kështu ka deklaruar për Demokracia.com kryetar i AKK-së, Sazan Ibrahimi i cili ka thënë se një projektligj i tillë ua mundëson inspektorëve administrativë që me ose pa paralajmërim të hyjnë nëpër zyrat e zyrtarëve publikë.

Por jo vetëm kaq, përmes këtij projektligji, atyre u lejohet që të kenë qasje në pajisjet elektronike të këtyre zyrtarëve, t’i fotografojnë dhe t’u bëjnë video-incizime.

“Me këtë projektligj Qeveria po synon ta themelojë një agjencion për inspektime administrative, por përgjegjësitë e inspektorëve të saj janë që me paralajmërim apo pa paralajmërim të hyjnë nëpër zyre të zyrtarëve publikë, të kenë qasje në pajisjet e tyre elektronike, në dokumentacionin e tyre, t’i fotografojë personat apo zyrtarët publikë, dëshmitarët, të bëjë video-incizime, dhe ta largojë një zyrtarë nga puna e t’i shqyrtojë masa disiplinore”, tha ai.

Ibrahimi për Demokracia.com ka treguar se edhe nëse një zyrtar publik ankohet për inspektimin që i bëhet, këtë duhet ta bëjë në një komision i cili formohet nga Qeveria e Kosovës.

“Habia më e madhe është se nëse ti si zyrtarë dëshiron të ankohesh, duhesh të ankohesh të një komision i cili formohet nga Ministria e Administratës Publike dhe ajo e Punëve të Brendshme. Kjo është anomali, kjo e cenon demokracinë, është konstatim i kryetarëve të komunave. Ka shkelje edhe sa i përket kartave universale edhe për të drejtat e njeriut, janë disa nene aty ku thuhet se një zyrtar publik mund të monitorohet edhe nëpër ndërtesa lokale”, ka thënë ai.

Ibrahimi për Demokracia.com ka shtuar se ky projektligj është marrë shembull nga Sllovenia, por janë bërë disa ndryshime.

AKK-ja sot ka adresuar shqetësimet për këtë çështje te kryeministri Albin Kurti dhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla pasi që kryetarët e komunave janë të habitur se pse nuk janë konsultuar për një proces të tillë.

“Ne si Asociacion jemi të anëtarësuar në mekanizma ndërkombëtarë, e kanë marrë shembullin e Sllovenisë si shtet demokratik, sepse edhe ata e kanë një ligj të tillë. Mirëpo, aty inspektorët administrativë kanë një lloj kompetence vetëm në përcjelljen e situatës, të inspektojnë se a është gjithçka e bazuar në ligjet aktuale, por inspektori nuk mund të ndërmarrë vendime vet, ashtu siç përcaktohet në këtë projektligj. Ne sot e kemi adresuar me kërkesë ministrit Sveçla edhe kryeministrit Kurti për një projektligj të tillë, kryetarët e komunave e kanë shpreh një habi se pse nuk po konsultohen për këto procese dhe kërkojnë që të ketë një bashkëpunim me nivelet qendrore, sepse ato do të zbatohen në nivel lokal”, ka thënë Ibrahimi për Demokracia.com.

Shqetësuese rreth këtij projektligji është se inspektorati në këtë rast mund të vendosë edhe për largimin nga puna të zyrtarit që inspektohet.

Kjo tregohet edhe në pikat 2 dhe 3 të nenit 37 të këtij projektligji, ku qartë thuhet se inspektori mund të ndërpresë punën e subjektit apo zyrtarit që inspektohet, raporton Demokracia.com.

“2. Inspektori mund të ndërpres punën e subjektit të inspektuar apo të zyrtarit përgjegjës në subjektin e inspektuar që ushtron veprimtari në kundërshtim me legjislacionin në fuqi.

3. Ministri përgjegjës për administratë publike me akt nënligjor përcakton procedurën për ndërprerjen e punës dhe aktiviteteve të subjektit të inspektuar”, thuhet në këto pika.

Sa u përket gjobave, inspektorati mund t’i shqiptojë ato për shkelje administrative deri në 700 euro. Kjo tregohet në pikat 2.1, 2.2 dhe 2.3 të nenit 46.

“2. Gjobat për shkeljet e kryera që përcaktohen në paragrafin 1 të këtij neni janë si vijon:

2.1. Pesëqind (500) euro për zyrtarin e inspektuar;

2.2. Tre mijë (3000) euro për subjektin e inspektuar;

2.3 Shtatëqind (700) euro për zyrtarin kryesor administrativ të subjektit të inspektuar”, thuhet në disa prej pikave të këtij projektligji./Demokracia.com/

Të ngjashme