Gjendja e arsimit në Kosovë është përkeqësuar shumë pas ardhjes në pushtet të Albin Kurtit, që në krye të këtij sektori shumë të rëndësishëm ka vënë Arbërie Nagavcin, e cila bëri dhjetë vjet për të kryer studimet master.
Gjendjen katastrofale të arsimit e dëshmuan edhe rezultatet e testit PISA, ku Kosova u rendit pothuajse e fundit, shkruan Demokracia.com.
Kosova është renditur ndër vendet e fundit në rezultatet e testit të PISA-s për vitin 2022.
Shteti ynë ka zënë vendin e 78-të nga 80 shtete pjesëmarrëse dhe ka rënie nga viti 2018 për 11 pikë.
Vendi ka zënë pozitën e 76-të për lexim, 77-të për shkencë dhe pozitën e 74-të për matematikë.
Por, Qeveria e Kosovës nuk ka bërë asgjë për implementimin e planit të saj qeverisës, shkruan Demokracia.com.
“Do të rrisim besueshmërinë për rezultatet e testeve kombëtare dhe do të hartojmë politika arsimore bazuar në të dhëna”, thuhet ndër të tjera në planin qeverisës 2021-2025.
Në ditën kur Kurti prezantoi planin e tij qeverisës, në mesin e premtimeve për fusha të ndryshme, ai premtoi se Qeveria Kurti do të jetë ”qeveri e arsimit për arsimin”.
Kurti tha se do të sigurojë cilësi në shkolla e fakultete, në mënyrë që ato të jenë në përputhje të programeve me kërkesat e tregut.
“Çdo i katërti i ri në Kosovë nuk është as në punë e as në shkollë. Më shumë se gjysma e atyre që punojnë, këtë e bëjnë jashtë profesionit të tyre, vetëm çereku punon në profesion dhe as 10% nuk bëjnë punë që lidhen me profesionin e tyre”, tha Kurti.
Ai tha atë ditë se synon që 50 për qind e fëmijëve të Kosovës të jenë pjesë e arsimin parashkollor.
“Do të ndihmohen komunat në planifikimin dhe ndërtimin e rrjetit të institucioneve parashkollore që të rrisim pjesëmarrjen në arsim parashkollor deri në 50% deri në vitin 2022. Do të rrisim vendimmarrjen në shkolla me përfshirje më të madhe të komunitetit dhe me rol më të fuqishëm të drejtorit të shkollës”, ka thënë Kurti. /Demokracia.com/