Lajme
“Qeveria Kurti nuk dallon nga të tjerat, politika e jashtme prodhoi skandale”
Demokracia
11:48 | 19 Mars 2022

Share:

Viti i parë i qeverisjes së udhëhequr nga Albin Kurti nuk bënë dallim shumë prej qeverisjeve të kaluara. Procesi i dialogut me Serbinë ka mbetur aty ku ka qenë, ndërsa edhe në aspektin ekonomik nuk është shënuar progres, madje rritja e çmimeve vetëm sa ka dëmtuar qytetarët. E gjatë këtij viti të parë të Qeverisë Kurti diplomacia kosovare po vlerësohet se nuk ka shënuar ndonjë zhvillim por vetëm degradim. Si premtim i realizuar i kësaj qeverisje po konsiderohet vetëm iniciativa për reformë në drejtësi dhe vaksinimi ndaj COVID-19. Kështu të paktën po deklaron drejtori ekzekutiv i Organizatës “Çohu”, Arton Demhasaj.

Të mërkurën bëhen 1 vit prej kur Albin Kurti mori zyrtarisht drejtimin e Qeverisë së Kosovës.

Demhasaj për KosovaPress deklaron se në këtë një vit qeverisjes nga Kurti procesi i dialogut Kosovë-Serbi nuk ka shënuar progres, madje konsideron se Kosova vetëm ka mbetur peng i këtij procesi.

Ndërsa, thekson se edhe në aspektin ekonomik nuk është shënuar ndonjë rezultat pozitiv, e ngritjet e çmimeve dhe inflacioni i madh vetëm sa ka dëmtuar xhepin e qytetarëve.

“Në përgjithësi nuk është se ka pasur diçka për të veçuar që kjo qeveria ka bërë nëse krahasojmë me qeveritë e kaluara. Në njëfarë mënyre nëse flasim për çështjen e dialogut aty ku kemi qenë aty kemi mbetur prapë nuk është që është zhvilluar diçka e madhe në çështjen e dialogut, akoma Kosova ka mbetur peng në këtë proces dhe ky proces më pas po i mban peng edhe shumë procese të tjera. Nëse flasim për çështjet e zhvillimit ekonomik apo rritjes së punësimit prapë se prapë nuk është se kemi ndonjë zhvillim të madh ekonomik që kjo ka derivuar në rritje të numrit të punësimeve. Po ashtu nëse flasim tani kemi pasur numër tejet të madh të çmimit që kjo ka reflektuar në inflacion të madh e që në njëfarë mënyre ka shkuar në dëm të qytetarëve”, tha ai.

Për njohësin e çështjeve politike, Arton Demhasaj punë e mirë është bënë përmes reformave në sistemin e drejtësisë qoftë me procesin e Vettingut por edhe disa plotësim-ndryshime të ligjeve të shumta.

Por, në fushën e drejtësisë dështim të madh të qeverisjes Kurti e konsideron mosvotimin e Projekt-Kodit Civil i cili gjatë kësaj jave nuk arriti të kalojë në lexim të parë, pasi as vetë deputetët e mazhorancës nuk e përkrahën këtë ligj.

“Ajo çka mund ta përmendim në aspektin pozitiv është iniciativa që janë marr për një reformë në sistemin e drejtësisë që lidhet qoftë me procesin e vettingut apo me ndryshimin e numrit të madh të ligjeve që këtu mendoj që ka pasur një zhvillim pozitiv, por prapë se prapë nëse e shohim çka ka ndodhur në Kuvendin e Kosovës ku pati një dështim të Qeverisë për të shtyrë tutje Projekt-Kodin Civil edhe në këtë aspekt nuk është që ka pasur ndonjë zhvillim të madh”, theksoi Demhasaj.

Në politikën e jashtme, Demhasaj konsideron se viti i parë i qeverisjes Kurti do të mbahet mend vetëm për skandale të vetë ministres së Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla dhe shkarkimet që kanë ndodhur në sistemin diplomatik por edhe brenda vetë MPJD-së.

“Në aspektin e politikës së jashtme mendoj se nuk ka pasur hiç zhvillim, mendoj që ka pasur degradim për shkak se nuk mund të themi se ka pasur zhvillime pozitive në politikën e jashtme përmes numrit të madh të shkarkimeve që kanë ndodhur qoftë në sistemin diplomatik apo brenda Ministrisë së Punëve të Jashtme. Nëse hyjmë analizojmë një vit të politikës së jashtme shohim se ka pasur një vit me plotë skandale nga vetë ministrja e Punëve të Jashtme e që kryeministri nuk ka marr masa. Është premtuar që do të ketë rritje të numrit të njohjeve në momentin kur këta vijnë në pushtet, nuk kemi parë asnjë njohje për një vit të qeverisjes Kurti. Pra nuk mund të themi që ka qoftë edhe një zhvillim pozitiv në diplomaci që mundemi ta veçojmë për këtë vit të Qeverisë Kurti”, theksoi ai.

Si lëvizje pozitive gjatë kësaj qeverisjes njëvjeçare nga Albin Kurti, njohësi i çështjeve politike në vend, veçon emërimet e bordeve të ndërmarrje publike dhe aksionet nga ana e Policisë dhe Prokurorisë në rastet e njohura tashmë si “Brezovica”, “Subvencionet” dhe rasti i fundit i arrestimit të 48 policëve, i njohur si “Pika”.

“Ndoshta në politikën e brendshme ka pasur një lëvizje aty-këtu që mund të dallohet nga qeveritë e kaluara sidomos kur flasim për disa borde të ndërmarrjeve që janë ndërruar dhe që ka filluar të ketë pak aktivitet më të madh, por prapë se prapë nuk është një diçka të madhe që mund ta veçojmë dhe të themi se për këtë vit ka ndodhur kjo dhe mund ta bëjmë një “tick” pozitiv. Ka pasur lëvizje të vogla por që asnjëherë nuk mund të themi që kanë pasur një ndikim apo impakt të madh në zhvillim ekonomik të brendshëm. Ajo çka po ndodh është ajo që ndërlidhet me sistemin e drejtësisë por nuk ndërlidhet direkt me Qeverinë, ka pasur një shtim të aktiviteteve nga ana e Policisë dhe Prokurorisë qoftë për të luftuar kontrabandën apo krimin e organizuar përmes arrestimeve pra janë disa raste të mëdha që janë nisur qoftë në Brezovicë, apo ky në Ministri të Bujqësisë ose ky tash që ndodhi me policët për dyshim për korrupsion. Pra, kjo nuk mund t’i faturohet Qeverisë”, theksoi ai.

Krahasuar me pritshmëritë e qytetarëve dhe vetë premtimeve të dhëna nga vetë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti sa ishte në opozitë, Arton Demhasaj nga Organizata “Çohu” konsideron se nuk ka pasur reagim fare.

Demhasaj thotë se i vetmi premtim që mbajti në vitin e parë të qeverisë kryeministri, Albin Kurti është vaksinimi i 60% të popullatës kundër COVID-19.

“Premtimet kanë qenë shumë të larta edhe pritjet kanë qenë shumë të larta nëse e krahasojmë ajo çka ka ndodhur me premtimet dhe njëkohësisht me pritjet që kanë qenë nga ana e qytetarëve mund të themi se nuk ka reagim fare sepse pritjet kanë qenë të mëdha. E vetmja ajo që është premtuar dhe është realizuar është çështja e vaksinimit”, deklaroi njohësi politik”, deklaroi Demhasaj.

Më 22 mars 2021 me 67 vota për, 30 kundër dhe asnjë abstenim, Kuvendi i Kosovës zgjodhi qeverinë e udhëhequr nga Albin Kurti i Lëvizjes Vetëvendosje. Qeverinë e Kurtit e mbështetën deputetët e komuniteteve joserbe.

Në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të 14 shkurt 2021 Lëvizja Vetëvendosje fitoi me mbi 50% të votave.

Të ngjashme
Lajme • 29 Mars 2024