Lajme
Qeveria Kurti ishte zotuar se nuk do ta sulmojë Prokurorinë, por zv.ministri Sallahu nuk i ndalë sulmet
Demokracia
21:09 | 12 Nëntor 2024

Share:

Zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu – i njohur në publik për frazën e “vajit në tepsi” – ka shpërndarë një shkrim ku Prokuroria Speciale quhet “organizatë kriminale” ndërsa i menjëhershëm ka qenë reagimi i Sistemit Prokurorial duke e dënuar ashpër gjuhën e zëvendësit të Albulena Haxhiut. Ndërkohë, Qeveria Kurti kishte premtuar që nuk do të sulmojë më sistemin e drejtësisë në vend.

Zëvendësi i Albulena Haxhiut, Blerim Sallahu, ka shpërndarë një shkrim ku ofendohet keq Prokuroria Speciale. Në këtë shkrim, Prokuroria Speciale quhet “organizatë kriminale”.

Lidhur me këtë, ka reaguar Këshilli Prokurorial i Kosovës dhe Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, të cilët kanë thënë se nuk kanë ndonjë agjendë të politikave ditore dhe se këto deklarime janë kërcënues për ata dhe familjet e tyre.

“Këshilli Prokurorial i Kosovës dhe Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, reagojnë ashpër ndaj komenteve të Zëvendësministrit të Drejtësisë, Blerim Sallahu, të bëra Facebook, duke e quajtur Prokurorinë Speciale “organizatë kriminale”, duke potencuar se deklarimet e tilla krijojnë pasiguri për prokurorët dhe familjet e tyre, sepse kanë përmbajtje jashtëzakonisht nxitëse, tendencioze, propaganduese dhe linçuese ndaj kësaj prokurorie dhe prokurorëve të saj.” – thuhet në reagim.

KPK dhe ZKPSH ia kanë rikujtuar zv.ministrit Blerim Sallahu punët që duhet t’i kryej para se të merret me sulme ndaj tyre.

“KPK dhe ZKPSH, deklarojnë se në vend që Zëvendësministri Sallahu të angazhohet dhe të ketë përkushtim maksimal, vullnet dhe iniciativa të shtuara për ngritjen e kapaciteteve, përmes rritjes së buxhetit të sistemit prokurorial për vitin 2025, i njëjti vihet në ballë të sulmeve sistematike ndaj prokurorive, prokurorëve dhe tërë sistemin prokurorial, duke harruar detyrën dhe përgjegjësitë e tij për t’u marrë me çështjet e avancimit dhe të fuqizimit të kapaciteteve përmes ndarjes buxhetore, që do t’i plotësonin nevojat e domosdoshme për kryerjen e punëve, mungesa e të cilit krijon barriera dhe paraqet vështirësi të mëdha në realizmin e përgjegjësive institucionale.” – thuhet në reagim.

Më tej, këto dy institucione kryesore të drejtësisë e kanë ripërsëritur qëndrimin e tyre se nuk do të ndalen para “para linçimit publik të eksponentëve të tillë politikë”

“Këto dy institucione të pavarura, deklarojnë se nuk do të ndalen asnjëherë para linçimit publik të eksponentëve të tillë politikë, të cilët kanë vënë në shënjestër Prokurorinë Speciale dhe janë vënë në ofensivë denigruese ndaj vlerave të përgjithshme të sistemit prokurorial, duke ndërhyrë paturpësisht në punën e pavarur të Prokurorit të Shtetit, e cila pashmangshëm bie në kundërshtim me ligjet në fuqi dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës.” – thuhet ndër të tjera.

Në anën tjetër, para disa muajve kryeministri, Albin Kurti i ishte zotuar raportueses për Kosovën në Këshillin e Evropës, Dora Bakoyanis, e cila kërkoi nga krerët e shtetit që të zotoheshin për një mori politikash në mënyrë që ajo të mund të konkretizojë në favor të anëtarësimit të Kosovës në Këshill.

Një ndër to ishte edhe sigurimi i pavarësisë së gjyqësorit dhe sulmet ndaj tyre.

(Zotohemi besnikërisht se) do të respektojmë pavarësinë e gjyqësorit duke u përmbajtur nga kritikat e tepruara që minojnë besimin në gjyqësi”.“Të vazhdojmë së përmirësuari cilësinë dhe efektivitetin e gjyqësorit”. – thuhej ndër të tjera në këtë premtim të pambajtur të Kurti dhe pushtetarëve,

Kujtojmë se kjo nuk është hera e parë, e nuk do të jetë as e fundit që zyrtarë të lartë të Qeverisë Kurti lëshohen me akuza të rënda ndaj institucioneve të drejtësisë në vend./Nacionale/.

Të ngjashme