Lajme
Qeveria Kurti ia bëri mandatin Institutit për Hulumtimin e Krimeve të luftës njëjtë si Gjykata Speciale
Demokracia
18:45 | 07 Tetor 2022

Share:

Instituti për Krime të Luftës i ka përplasur ashpër në Kuvendin e Kosovës, shefin e GP të PDK-së, Abelard Tahiri, me kryeministrin Albin Kurti.

Ata janë përplasur për periudhën e krimeve që do t’i hulumtojë Instituti për Krimet e Luftës, ku rastis të jetë i ngjashëm me raportin e Dick Martyt.

“Ne nuk mund të kemi paqe të qëndrueshme dhe siguri afatgjate pa të vërtetën dhe pa drejtësinë. Periudha e luftës nuk është se prek më këtë ligj. Është informacion zyrtar se kur ka filluar e përfunduar lufta. Pra periudha  e luftës mbaron në muajin qershor 1999 dhe si e tillë është e përkufizuar me këtë ligj, më saktësisht pajtohem do të duhej të ishte 20 qershori, kur është tërhequr edhe personi i fundit i uniformuar i Serbisë, përkatësisht Jugosllavisë. Përtej kësaj, institutin e kemi obliguar që të merret me veprimet e krimet që kanë shpier të lufta, duke dëshmuar kauzën e popullit shqiptar për çlirim, sepse ka krime në vitin 1996 që nuk janë ordinere”, ka thënë Kurti në Kuvendin e Kosovës, përcjell Demokracia.com.

Ai ka thënë se koha e hulumtimit do të jetë deri në dhjetor 2000.

“Ta zëmë nuk është në rregull të përjashtohet vrasja e mësuesit Geci në fund të vitit 1997. Këdo që e përcakton si datë gjithmonë ke një vrasje politike më herët. Është vrasja e studentit Armend Daci. Nuk dëshirojmë t’i përjashtojmë as këto vrasje që kanë shpier te lufta, por njëkohësisht edhe ato të cilat mund të kenë ndodhur më pas. Kemi thënë që mund të trajtohen edhe krimet e tjera që lidhen me luftën pas përfundimit të luftës. Me kufizim të datës dhjetorin e vitit 2000. Gjithashtu edhe vrasjet në shkurt të të vitit 2000 në veri të Mitrovicës nuk janë vrasje ordinere, por janë vrasje politike që kanë ndodhur nga strukturat e mbetura ilegale të trashëguara nga regjimi i Millosheviqit”, tha Kurti.

Ndërsa, shefi e GP të PDK-së, Abelard Tahiri, e ka kritikuar ashpër Qeverinë Kurti për periudhën që do ta hulumtojë ky institut.

“Absolutisht, mendoj që është gabim i madh me shku deri në dhjetor të vitit 2000. Ata që kanë vra, qoftë matanë urës së Ibrit, por nuk bën të jenë objekt  i dokumentimit të krimeve të luftës se luftë s’ka pas”, tha Tahiri.

Në replikë, Tahiri i tha Kurtit se është “marre e madhe” që 31 dhjetori i vitit 2000 është caktuar si një periudhë “ku deri në atë periudhë qenkan kryer krime”.

Njëjtë sikurse instituti i krijuar nga Qeveria Kurti, edhe Gjykata Speciale heton dhe gjykon krimet të cilat janë kryer apo kanë filluar të kryhen në Kosovë, që nga janari i vitit 1998 deri më 31 dhjetor 2000. Të gjitha krimet e pretenduara që janë kryer para janarit 98 ose pas 31 dhjetorit 2000, nuk hyjnë nën juridiksionin e Gjykatës Speciale dhe për këtë shpeshherë ka pasur paqartësi në Kosovë. /Demokracia.com/

Të ngjashme
Lajme • 20 Prill 2025