Lajme
Qeveria Kurti i mashtroi, veteranëve nuk u dolën as pensionet me kohë
Demokracia
12:51 | 16 Qershor 2022

Share:

Veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, por edhe kategoritë e tjera sociale janë mashtruar nga Qeveria e Kosovës. Atyre nuk u kanë dalë pensionet më datën 15, siç ka ndodhur deri muaj më parë. 

Veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës sot e kanë nisur ditën duke protestuar para Qeverisë Kurti.

Veteranët po e kundërshtojnë mospërfshirjen e tyre në Projektligjin për Pagën Minimale, i cili u miratua në Kuvendin e Kosovës para dy dite. Edhe gjatë procesit të votimit, ky projektligj u kundërshtua nga deputetët e opozitës, përcjell Demokracia.com.

Për këtë, veteranet po thonë se po ndihen të mashtruar.

Mirëpo, ky nuk është mashtrimi i vetëm që atyre po ua bënë Qeveria e Kosovës.

Veteranët e UCK-së, por edhe kategoritë e tjera sociale, nuk i kanë marrë pensionet gjatë ditës së djeshme, ashtu siç i kanë marrë deri tani dhe ashtu siç ka njoftuar ditë më parë Ministria e Financave.

“Me datë 15 të çdo muaji do të ekzekutohen pagesat e skemave sociale dhe skemat pensionale që nuk kanë nevojë për procesin e verifikimit me ATK. Kurse, me datë 20 të çdo muaji do të ekzekutohen pensionet e veteranëve dhe pensionet tjera që kanë nevojë për procesin e verifikimit me ATK (pensionet e Trepçës dhe ato familjare)”, thuhet në njoftimin që kishte bërë Ministria e Financave.

Se nuk i kanë marrë pensionet gjatë ditës së djeshme e kanë konfirmuar edhe vetë veteranët.

Në një deklarim për Demokracia.com, veterani Besim Dvorani nga Drenasi ka thënë se deri më tash çdo herë pensionet i kanë marrë më datën 15.

“Me datën 15 nuk i kemi marrë pensionet. Kemi shkuar me i marrë, s’i kemi marrë. Në njoftim në Facebook e kemi pa se me 20 kanë me dalë. Jemi në kredi, duhet me pagu”, ka thënë ai për Demokracia.com.

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ditë më parë ka deklaruar se Qeveria shpërndan më shumë se 80 milionë euro për veteranët e luftës së UÇK-së.

Murati ka thënë se veteranëve mund t’u duket pak ky pension, por janë miliona euro që paguhen për ta.

Sipas tij, shteti po jep shumë për veteranët, por nga perspektiva e tyre mund të jetë pak.

‘’Ndërlidhja me pagën minimale ka qenë me Nenin 18. Vullneti politik atëherë ka qenë që të bëhet kjo këputje. Pagesa për veteranët është 80 milionë euro në vit. Nga perspektiva e një veterani mund të duket që shteti po jep pak për ta, por shteti po jep 80 milionë euro. Veteranit i kanë hy në hise disa të tjerë që nuk janë veteranë. Duhet t’u bëhet një pastrim listave. Duhet t’i trajtojmë drejt ata që kanë luftu, e kanë marrë pushkën, e kanë marrë guximin’’./Demokracia.com/

Të ngjashme