Lajme
Qeveria Kurti i jep tokë edhe kompanisë “Lidl”, por heziton për “Sunny Hill”
Demokracia
18:55 | 15 Qershor 2022

Share:

Një prej festivaleve që e prezanton Kosovën më së miri në botë dhe që i ka sjellë vendit miliona euro qysh prej kur filloi të organizohet, “Sunny Hill”, këtë vit nuk do të mbahet në Prishtinë, pasi që ai tashmë është zhvendosur në Tiranë. Krejt kjo për shkak se Qeveria Kurti dështoi t’ua siguronte licencat e nevojshme për lokacionin.

Qeveritarët duke u arsyetuar për këtë dështim kanë thënë se “Tokën e kemi për kursim”, raporton Demokracia.com.

Sidoqoftë, Qeveria në krye me Albin Kurtin nuk e kursen tokën që t’ua japë investitorëve të tjerë, ku pas kompanisë Kosmonte Foods është edhe rasti tjetër me kompaninë e dyqaneve ushqimore “Lidl” GmbH & Co KG, me përfaqësuesit e së cilës u takuan së fundmi.

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, kryeministri Albin Kurti dhe zëvendëskryeministri Bisnik Bislimi, ditë më parë pritën në takim një delegacion të kësaj kompanie.

Ishte vetë ministrja Hajdari ajo që konfirmoi se ua kanë prezantuar tri lokacione strategjike të përshtatshme që të ndërtohet marketi i kompanisë “Lidl” në Kosovë.

Në këtë rast, siç duket Qeveria nuk po heziton aspak që t’i japë tokë kësaj kompanie, raporton Demorkacia.com.

“Me delegacionin e kompanisë në fjalë vizituam edhe tri lokacione strategjike të propozuara nga kolegët e KIESA-s, të përshtatshme për qendrën e ardhshme logjistike të kompanisë  “Lidl” në Republikën e Kosovës, pas bisedës së tyre më prodhuesit dhe përpunuesit e ushqimit dhe pijeve, potencial i mirë për furnizim për kompaninë  “Lidl” dhe exporte në botë”, kishte thënë Hajdari.

Veç kësaj, sot në media u raportua se Qeveria e Kosovës në shtator të vitit 2021 e kishte rekomanduar kompaninë “Kosmonte Foods” si investitor strategjik.

Ministrja Hajdari e kishte arsyetuar përzgjedhjen e kësaj kompanie, por e njëjta nuk ishte shfaqur as në Kuvend që ta prezantonte vendimin dhe pavarësisht kundërshtimeve ky ishte miratuar.

Agjencia e Pyjeve kishte ngritur padi ndaj kësaj kompanie, pasi që dyshohej se “Kosmonte Foods” kishte probleme me ligjin dhe nuk mund të konsiderohej si “Investitor Strategjik”, raporton Demokracia.com.

Në Kuvend, deputetët kishin diskutuar se Ministria e Bujqësisë, nën udhëheqjen e Faton Pecit, e kishte tërhequr padinë nga gjykata dhe kështu, kompanisë në fjalë i ishin dhënë 25 hektarë në Fushë Kosovë në shfrytëzim, pa kompensim.

Sa i përket festivalit “Sunny Hill”, Dukagjin Lipa, babai i këngëtares kosovare me famë botërore, Dua Lipës, ka bërë të ditur se vlera e publicitetit ndërkombëtar të krijuar nga edicioni i fundit i këtij organizimi është llogaritur prej 23 milionë euro, ndërsa ka sjellë rreth 10 milionë euro fitim për ekonominë e Komunës së Prishtinës.

Pas anulimit në Prishtinë, festivali do të mbahet në Tiranë në datat 4, 5, 6 dhe 7 gusht, kurse të gjithë personat që i kanë blerë biletat do t’i kenë të vlefshme, ndërsa ata që nuk mund të udhëtojnë për në Tiranë, do të rimburësohen./Demokracia.com/

Të ngjashme